Aktualitet Hapet nënkalimi i TEG, një nga portat hyrëse e dalëse më të...

Hapet nënkalimi i TEG, një nga portat hyrëse e dalëse më të rëndësishme të Tiranës

Zv.kryeministrja Belinda Balluku njëherësh ministrja e Infrastrukturës ka njoftuar se është hapur nënkalimi në afërsi të TEG.

Gjatë një monitorimi në terren të këtij aksi rrugor, ku është i pranishëm kryeministri Edi Rama dhe drejtori i ARRSH Evis Berberi, ajo tha se 85% e punimeve kanë përfunduar.

“85% e punimeve janë të përfunduara, nuk jemi më në kushtet e hapjes provizore. Policia e Shtetit ka marrë në dorëzim mbikëqyrjen e aksit”, u shpreh Balluku.

“Kemi një frymëmarrje të re të trafikut”, tha më tej ministrja.

Ndërkohë nga ana tjetër Kryeministri Edi Rama, tha se nuk do të lejojnë që asnjë që të marrin peng projektet për qytetin. Ai solli si shembull rastin e banorëve të “5 Majit”, të cilët sipas tij u është dhënë kontratë për strehim social.

“Askush nuk mund ta marrë peng punën dhe projektin. Duam të stimulojmë qasjen tonë solidare me të gjithë grupet shoqërore dhe nivelet. Dikush që është në mes të rrugës siç ishin ato te ‘5 Maji” merr një ofertë bujare e solidare që pavarësisht se është komplet pa leje dhe nuk ka tokë të trajtohet me qira dhe me një kontratë të qartë për strehim social, të thotë jo s’dua, kjo nuk funksionon.

Po t’i pyesësh sot ato që kanë penguar këto punime e kuptojnë se kanë humbur kohë dhe kanë  stresuar veten dhe familjen kot, sepse janë të sistemuar dhe u është dhënë marrëveshja në dorë. Nuk do e mbajmë peng qytetin për njerëz që mendojnë se me gjuhën e forcës bëhen thjesht pengje.”- tha Rama.