Kryeministri Edi Rama vizitoi Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, ku u hap spitali ditor brenda kësaj qendre.
Kjo do të jetë e para strukturë e këtij lloji në Shqipëri në një sipërfaqe prej 3500 metër katror, që do të ofrojnë shërbimin shëndetësor për 65 mijë pacientë me sëmundje kronike, por edhe të tjerë që do të kenë nevojë për terapi dhe një monitorim të vazhdueshëm nga mjekët.
Gjatë vizitës, Rama përgëzoi mjekët për punën e tyre, por pati edhe kritika. “Nëse do të na shpikni ndonjë vaksinë për virusin e mospërfilljes së pacientëve, do të ishte edhe më mirë. Sepse unë që e njoh sistemin e di shumë mirë që pjesa dërrmuese e mjekëve janë super, por mjaftojnë pak individë që janë të pavaksinuar me normat e edukatës dhe etikës në punë për të shkatërruar imazhin e të gjithëve edhe hedhur poshtë punën e përbashkët që po bëjmë”, tha kryeministri.
“Ju them të gjithëve që shkoni në spitalin qendror, se aty jeni jashtë shtetit. Ata që s’e besojnë thonë “propagandë e Rilindjes”… Çfarë të them unë?!”, shtoi Rama.
Teksa shoqëronte Ramën, ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, tha se objektivi i QSUT-së është që aty të bëhet transplanti i veshkave, pasi janë mbi 200 pacientë që kanë nevojë për këtë operacion.
Ministrja Koçiu shpjegoi se spitali ditor do të ofrojë shërbime për të gjithë pacientët që kanë nevojë për konsulta ambulatore, pra që do të thotë nuk është shërbim që kërkon shtrim më tej se 24 orë. Aty ka 60 shtretër dhe mbi 50 mjekë që do të ofrojnë shërbim në këtë strukturë të dedikuar. “Kufizojmë kështu fluksin e lëvizjeve në spitalin qendror”, tha ministrja.