Bota Hapet ura e rekordeve në Turqi: Çfarë fshihet pas mrekullisë arkitekturore

Hapet ura e rekordeve në Turqi: Çfarë fshihet pas mrekullisë arkitekturore

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan inauguroi të premten urën e “Çanakala 1915”, një tjetër në serinë e megaprojekteve turke, ura më e gjatë në botë me hapësirë të mesme, e para në Dardanele dhe e katërta në detet turke që lidh Evropën dhe Azinë.

Ky projekt mund të konsiderohet si ura e varur më e gjatë në botë dhe njihet si “ura e simboleve” edhe për shkak të veçorive të saj dhe detajeve inxhinierike.

Ura e “Çanakala 1915” u hap në Ditën e Përkujtimit të Dëshmorëve dhe 107-vjetorin e fitores Detare në Çanakala më 18 mars, aty ku një koalicion perëndimor u mund në betejë l nga ushtria osmane.

E njohur në Europë si Beteja e Galipolit, ajo ishte një nga betejat më të përgjakshme dhe më të ashpra të Luftës së Parë Botërore.

Në fjalën e tij në hapjen e urës “Çanakkale 1915”, presidenti Erdogan vuri në dukje se kjo urë përmban simbole të shumta nga e kaluara turke.

“Ura e Çanakala 1915 ka kuptime të ndryshme me secilën nga karakteristikat e saj teknike”, tha Erdogan, duke shtuar se ishte një projekt mbresëlënës.

“Turqia la pas Japoninë dhe u bë vendi me urën më të gjatë të hapësirës së mesme në botë. A e dini se sa do të jenë kursimet e vendit tonë në vit për sa i përket kohës, konsumit të karburantit dhe reduktimit të emetimeve të karbonit me këtë investim? 415 milionë euro”, tha Erdogan.

Ai theksoi se Turqia do të arrijë përfitime të mëdha ekonomike nga ura “Çanakala 1915”.

“Sipas parashikimeve tona, ky projekt do t’i sjellë ekonomisë sonë 5.3 miliardë euro, 118,000 vende të reja pune dhe 2.4 miliardë euro të ardhura kombëtare”, tha Erdogan.

Erdogan zbuloi se kostoja e përdorimit të urës do të jetë 200 lira turke (12.2 euro), dhe shtatë ditët e para të vënies në punë do të jenë falas.

Gjatësia e urës së varur në ngushticën e Çanakalasë arrin 4608 metra. Falë kësaj ure, koha e udhëtimit mes dy kontinenteve do të reduktohet në gjashtë minuta.

Figurat e topave janë instaluar në majat e katër kullave të çelikut, secila me peshë 75 tonë dhe 20.5 metra e lartë. Këto janë figura që simbolizojnë gjylet e topit që luftëtari i famshëm turk Seyit Onbasi mbante në shpinë gjatë betejës së Galipolit.

Në kabllon kryesore të urës u përdorën gjithsej 162,000 kilometra tela, të cilat do të mjaftonin për t’u mbështjellë katër herë rreth planetit Tokë. Gjithashtu, në ndërtimin e urës janë përdorur 227 mijë metër kub beton, e cila mund të ndërtonte p.sh një lagje me 25 mijë banorë, me gjithsej 5900 apartamente nga 100 metra katrorë secila.

Ura është projektuar në mënyrë që distanca midis këmbëve të saj të jetë 2023 metra, që simbolizon vitin kur Turqia shënon përvjetorin jubilar të 100-vjetorit të themelimit të Republikës. Gjithashtu, kullat e saj prej çeliku 318 metra simbolizojnë 18 marsin 1915, kur u fitua beteja detare në Çanakala.

Lidhjet e kullave dhe elementeve të urës janë bërë në ngjyrat kuq e bardhë të flamurit turk. Së bashku me një lartësi prej 318 metrash dhe një top arkitekturor prej 16 metrash, ajo arrin 334 metra mbi nivelin e detit dhe është një urë e varur me kullat më të larta në botë.

Autostrada dhe ura e sapondërtuar e “Çanakala 1915” janë integruar në rrjetin ekzistues të transportit tokësor, detar dhe ajror në rajonet Marmara dhe Egje, të cilat janë ndër rajonet më të zhvilluara të Turqisë.

Gjithashtu, në kuadër të punimeve të rregullimit të zonës, janë mbjellë gjithsej 516 863 fidanë.