Në Tiranë është çelur Zyra Ndërlidhëse e EUROPOL-it. Një oficer do të punojë në një zyrë të posaçme në Policinë e Shtetit, për të intensifikuar bashkëpunimin. Në ceremoninë për hapjen e zyrës mori pjesë Ministri i Brendshëm Lleshaj, Drejtorja Ekzekutive e EUROPOL-it, Catherine De Bolle, Ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu dhe oficerë ndërlidhës të vendeve partnere.
Ministri i Brendshëm tha se hapja e Zyrës Ndërlidhëse të EUROPOL-it në Tiranë, e para në rajon, është dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm për të parandaluar dhe trajtuar krimin e organizuar dhe kërcënimet që rrjedhin nga ky fenomen.
Pjesëmarrja e Policisë së Shtetit në pikat fokale të EUROPOL-it, është prioritet kryesor i Zyrës Kombëtare të EUROPOL-it në Tiranë, pasi kjo ka një rëndësi të veçantë në përmbushjen e detyrimeve strategjike të Policisë së Shtetit, të cilat rrjedhin nga Prioritetet e Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian. Drejtori Veliu nënvizoi se asistenca e EUROPOL-it në përmirësimin e analizës së informacionit kriminal në përgjithësi, si edhe përfshirja e Policisë së Shtetit në hetimet dhe operacionet e përbashkëta, është një objektiv po ndiqet me vendosmëri e këmbëngulje, në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit ndërkombëtar, trafikut të lëndëve narkotike dhe migracionit të paligjshëm.