Një 47-vjeçar, person i shpallur në kërkim dhe me rrezikshmëri të lartë shoqërore, është plagosur nga policia në Vlorë pas operacionit për ndalimin e tij.
Uniformat blu kanë njoftuar këtë të shtunë se gjatë operacionit që u zhvillua në mëngjes kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Hoshtima”, ku për pasojë është plagosur dhe arrestuar Xhevahir Jonuzi. Ai është i dënuar me 25 vjet burg për vrasje.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e tij, si dhe informacionet që mbante armë zjarri, RENEA kanë bërë rrethimin e banesës së Jonuzit në fshatin Hoshtimë. Por gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë 47-vjeçari ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë.
RENEA i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre. Forcat speciale i janë kundërpërgjigjur në mënyrë proporcionale zjarrit të Jonuzit. Gjatë shkëmbimit të plumbave, Xhevahir Jonuzi mbeti i plagosur në këmbë.
Atij iu dha ndihma e parë dhe u dërgua në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Këtë person Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë e ka dënuar me 25 vite burg për “Vrasje me paramendim”.
Po ndaj këtij shtetasi, në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”.