Krejt papritur, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, njoftoi të dielën se ndodhet në Stamboll, ku është pritur nga Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Njoftimi fillimisht është publikuar nga presidenca turke, në llogarinë e saj në Twitter, pasuar nga Presidenti Thaçi e më vonë nga ish-presidenti Behgjet Pacolli. Ky i fundit ka udhëtuar gjithashtu me Thaçin në Stamboll, duke fluturuar me aeroplanin e tij privat.
Takimi po zhvillohet në Rezidencën Vahdettin dhe ndodh vetëm disa ditë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi për njohjen e pavarësisë së Kosovës, e cila ishte si pikë e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë e ndërmjetësuar në Shtëpinë e Bardhë në praninë e presidentit Donald Trump. Në atë marrëveshje, nga ana e saj Kosova zotohet ta hapë ambasadën e saj në Jerusalem.
Presidenca turke nuk dha hollësi për arsyen e këtij takimi, kurse presidenti Thaçi shprehu mirënjohjen për pritje të ngrohtë nga presidenti turk dhe bisedën konstruktive për të gjitha çështjet në interes të përbashkët.
“…Përfshirë bashkëpunimin dypalësh, çështjet rajonale e globale. Dy kombet tona kanë marrëdhënie miqësore dhe do të vazhdojnë forcimin si partnerë strategjikë”, shkroi presidenti Thaçi në Twitter.
Postim për këtë takim ka bërë edhe ish-presidenti Behgjet Pacolli, aktualisht kryetar i AKR-së.
“Sot në Stamboll bashkë me Presidentin Thaçi patëm takim të shkëlqyer me Presidentin turk Erdogan i cili është mik dhe aleat i madh i Kosovës”, shkroi Pacolli, sipas të cilit, marrëdhëniet e Kosovës e Turqisë janë shtyllë për stabilitetin dhe përparimin në rajon.
Turqia nuk e ka pritur fare mirë njoftimin se Kosova do të hapë ambasadën e saj në Jerusalem. Për këtë çështje, Presidenti Thaçi ka deklaruar se është në bisedë të vazhdueshme me homologun e tij turk, Erdogan dhe se sipas tij, kjo njohje nuk do ta cenojë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik dhe miqësore e vëllazërore mes Kosovës dhe Turqisë.