Njohja e Kosovës nga Izraeli dhe hapja e ambasadës në Jeruzalem ka shqetësuar presidentin e Turqisë Rexhep Taip Erdogan, i cili i ka telefonuar personalisht presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Në konferencën për shtyp të paradites së sotme Thaçi tha se e kishte siguruar se kjo njohje nuk do të cënojë partneritetin strategjik dhe vëllazëror me Turqinë.
“Dua t’ju informoj se edhe shqetësimi që kemi marrë nga Liga Arabe e presidenti Erdogan sa i takon njohjes së ndërsjelltë Izrael-Kosovë. Unë jam në kontakt me presidentin Erdogan. Kam diskutuar në telefon dhe kjo njohje nuk do të cënojë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik dhe miqësor, e vëllazëror me Turqinë. Tani do të kemi aleatë më të mëdhenj e më të fuqishëm në rrafshin e fuqizimit global të shtetit të Kosovës”, tha Thaçi.
Në një deklaratë të ministrisë së Jashtme turke njoftohej se një hap i tillë do të dëmtojë statusin historik dhe ligjor të Jeruzalemit dhe se mund të jetë pengesë për njohjen e Kosovës nga shtete të tjera
“Udhëheqjes së Kosovës i bëjmë thirrje që t’i përmbahen vendimeve në fjalë dhe të distancohen nga hapa të këtij lloji që mund të dëmtojnë statusin historik dhe ligjor të Kudsit (Jeruzalemit) dhe të cilët mund të jenë pengues në të ardhmen për njohjen e Kosovës nga shtete të tjera”, thuhej në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Turqisë.