Kryesore Hapja e dosjeve, Rama: Në këtë proces na solli shtetasi I.M

Hapja e dosjeve, Rama: Në këtë proces na solli shtetasi I.M

Teksa Kuvendi po mban seancën plenare për diskutimin dhe më pas votimin për ligjin për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit, kryeministri Edi Rama e ka marrë fjalën në foltoren e Kuvendit.

Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama është shprehur se në këtë proces i ka sjellë shtesasi I.M. teksa bën thirrje që të hapen dosjet dhe sipas Ramës të lehtësohen të gjithë.

“Falë komunizmit, lulëzon gjithë prej 32 vjetësh një shkollë oratorie që patën rastin dhe sot ta shohim. Dalin këtu njerëz që nuk kanë lidhje dhe flasin sikur u ka rënë mbi kokë presekutimi komunist. Komunizmi ka vdekur, ka kohë, ajo që vazhdon dhe jeton është pjella e ligë e komunistti anti-komunist si frymë dhe si qasje që torollis gjithë dynjanë ndërkohë që këtu është shumë e thjeshtë: Hiqet një pengesë dhe të gjithë figurave të Sigurimit të Shtetit ju hapen dosjet që janë mbajtur mbyllur në kohën e SHIK dhe SHIK i ka ndarë punët, i ka mbuluar ata që i duheshin për të krijuar të gjithë këtë vorbull.

Prandaj është shumë e thjeshtë: Ne këtu në këtë proces na solli shtetasi I.M, doli një I.M, u mbush dynjaja me fjalë, u pa që nuk merrej dot vesh se kush është ky, a është I.M që ju shkoin mendja atyre që ju shkon për keq dhe thjesht u mor vesh se ka një pengesë për shtetasin I.M. Të hapet gjithë kjo kategori dosjesh dhe të lehtësohen të gjithë. Ku ta gjejmë që të marrim një përgjigje, dhe larg qoftë të mësojmë se I.M e kemi pasur 30 vjet merre dhe ngjite ku ka pasur vend në piramidën shtetërore. Larg qoftë të jetë ai. Kështu që, shumë e thjeshtë, kot e komplikojmë dhe kjo është një tjetër arsye për ta parë se kush është kush në këtë teatër të madh”, tha Rama.

Kryeministri Rama thotë se “non grata bashkë me krahun radikal antijuridik nuk janë në Kuvend pasi sipas Ramës sapo dëgjojnë hapje dosjesh e kanë të pamundur ta dëgjojnë”.

“E para, non grata bashkë me krahun radikal antijuridik nuk është këtu sot, kanë marrë arratinë sepse sa dëgjojnë hapje dosjesh e kanë të pamundur të dëgjojnë. Si mund të ju thuash shqiptarëve “luftojmë për dinjitet” kur vetë i shmangesh ballafaqimit për dinjitet. Kur ju thotë shqiptarëve bashkohuni për dinjitet, nëse ka respekt për fjalën dinjitet thotë menjëherë se ky që kam në krah është me dinjitet apo jo. Mbështesin shtetasin I.M., nëse është ai që thonë gojët e liga, unë shpresoj që jo. Sa më shumë ulërini kundër komunizmit, aq më shumë jeni të përzier me komunizmin. Ti Oerd nuk ke lidhje me komunizmin, por ke një lidhje me një pjellë të komunizmit. Të lutem mos ik pa e votuar se pastaj i bie që nuk ke më as ti asnjë lloj dinjiteti në rast me veten dhe të gjithë dinjitetin ia ke dorëzuar komunizmit anti komunist”, tha Rama.