Presidenti Ilir Meta, gjatë vizitës së tij në Estoni, ku u takua me krerët më të lartë të vendit, shprehu besimin që Tirana ka tek vendet Balltike, para vendimit të Këshillit të Europës për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Kemi besim tek Vendet Balltike për vendimin e 18 tetorit!”, tha Meta pas takimit me Kryeministrin e Estonisë, Juri Ratas, të cilin e falenderoi “për mbështetjen konstante që Estonia ka dhënë në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.”
“Shqipëria dhe Estonia kanë mundësi të jashtëzakonshme për të forcuar marrëdhëniet e shkëlqyera, veçanërisht bashkëpunimin ekonomiko-tregtar.”
Meta tha se Kryeministri Ratas i shprehu mirënjohjen për kontributin e vendit tonë në forcimin e sigurisë në rajonin e Balltikut, në kuadër të NATO-s, në misionin ushtarak në Letoninë fqinje.
“Shqipëria duhet të përfitojë nga modeli i shkëlqyer i E-Estonia në inovacion, start-up dhe e-services. Një fushë e bashkëpunimit është edhe ajo e sigurisë dhe mbrojtjes kibernetike, ku përvoja e Estonisë do të jetë një mbështetje e shkëlqyer në kuadër të sfidave të përbashkëta që ndajmë si dy vende anëtare të NATO-s.”