Eugena Tomini, Shefja e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në ISHP, deklaroi për televizionin A2 se “hapja graduale do të çojë në ekspozim të kontrolluar të popullatës” dhe se për këtë arsye “parashikojmë rritje të numrit të rasteve në ditët në vijim”.
“Piku është kaluar tashmë, por duhet frenuar entuziazmi dhe jemi të rezervuar. Prandaj po bëhet një hapje graduale dhe indikatorët do të monitorohen në vijimësi”, tha Tomini.
“Masat bëjnë që popullata të ketë ekspozim minimal, por ky ekspozim minimal bën që popullata të mos imunizohet normalisht. Hapja graduale do të çojë në ekspozim të kontrolluar të popullatës. Parashikojmë rritje të numrit të rasteve në ditët në vijim, nëse nuk respektojmë të gjitha masat”, theksoi Tomini.
Kur u pyet nëse Shqipëria është gati për të hapur shkollat, Tomini u shpreh se “jemi herët për të diskutuar për këtë”.