I menjëhershëm ishte reagimi i ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj pas deklaratës së Edi Ramës në lidhje me taksën ndaj Serbisë.
Haradinaj thotë se frustrimi i kryeministrit shqiptar është i kuptueshëm ndaj tij pasi nuk ia fal dot faktin që i prishi “planin serbomadh”. Madje sipas Haradinajt, Rama po zbaton këshillat e ministrit të Jashtëm rus, Sergeji Lavrov, pas vizitës që zhvilloi me të.
Ish-kreu i qeverisë uron që Kurti të bllokojë, ashtu sikurse ai, rrugën e Ramës dhe personave të tjerë që kërkojnë copëtimin e Kosovës. Madje sipas tij, taksa duhet përdorur për njohjen e Kosovës nga Serbia.
“I kuptueshëm frustrimi i Edi Ramës ndaj meje. E di që nuk ma fal dot që ia prisha planin serbomadh. Edi Rama pas kthimit nga Moska, vepron pa humbur kohë në zbatimin e këshillave të Lavrovit. Uroj që Kryeministri Kurti të vazhdojë rrugën time të bllokimit të shtegut të Edi Ramës e të tjerëve për copëtimin e Kosovës dhe fuqizimin e Serbisë e Rusisë në rajonin tonë, duke mbajtur taksën deri në kontratën finale për njohje. Të tjerat janë tashmë histori”, shkruan Haradinaj në Facebook.
Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të diel se Ramush Haradinaj ka nisur baltosjen e Albin Kurtit pasi ky i fundit deklaroi që qeveria do të heqë taksën 100% ndaj Kosovës. Rama tha se ideja që vendosja e taksës do të sjellë njohjen e Kosovës nga Serbia është një “idiotësi e madhe”.