Kosova Haradinaj: Qeveria Kurti do të jetë zhgënjim, nuk bëhemi pjesë e saj

Haradinaj: Qeveria Kurti do të jetë zhgënjim, nuk bëhemi pjesë e saj

Ramush Haradinaj dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të jenë pjesë e ndonjë koalicioni qeverisës. Kryeministri në largim shtoi gjithashtu se nuk beson te aftësitë menaxheriale të Albin Kurtit, kreut të Vetëvendosjes që pritet ta pasojë në postin e Kryeministrit.

“Ne jemi opozitë, ata i kanë fituar zgjedhjet dhe duhet të formojnë institucionet. Jemi opozitë, nuk e shohim vetën pjesë e Qeverisë Kurti”, tha Haradinaj.

“Çdo herë kam thënë që kam dyshim në aftësitë e tij dhe mendoj që do të jetë një zhgënjim kjo qeveri. Nuk e kam thënë për arsye të caktuara personale, por e kam thënë në bazë të vlerësimit të punës. Duke e njohur edhe të rrethanat e Kurtit dhe koalicionit, nuk mendoj që do të jetë një qeveri që do t’i përmbushë pritjet e qytetarëve, për fat të keq do të jetë zhgënjim”, tha ai.

Për Haradinajn, gjendja që tani nuk është e mirë, për shkak të vonesave për zyrtarizmin e kabinetit të ri për shkak të mosmarrëveshjeve mes Vetëvendosjes dhe Lëvizjes Demokratike të Kosovës për ndarjen e posteve. “Kur kam krijuar Qeverinë më është dashur të negocioj edhe me Listën Serbe, tani edhe Albini e ka marrë vesh që duhet”, tha Haradinaj.

“Ne nuk refuzojmë diskutime për interes të vendit, për tema nacionale, por nuk kemi ndonjë rol për të ndihmuar në krijimin e institucioneve, përgjegjësia bie mbi fituesit. Nëse fituesit dalin në konferencë për shtyp dhe thonë ne nuk mund ta bëjmë, atëherë ne duhet të interesohemi çfarë të bëjmë”, përfundoi Haradinaj.