Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se 40 serbë kanë nënshkruar për të qenë ushtarë të ushtrisë së re të Kosovës dhe kjo sipas tij dëshmoi se shantazhi dhe instrumentalizimit të serbëve të Kosovës nga Beogradi po i vjen fundi.
Sipas Haradinajt, kjo është “një shenjë e qartë e integrimit dhe besimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), si dhe vullnetit të komunitetit serb që të integrohen në strukturat e Kosovës”.
“Fakti se rreth 200 pjesëtarë të komuniteteve jo-shqiptare, nga të cilat rreth 40 serbë, aplikuan për pranim në KBS-in, një shenjë e qartë e integrimit dhe besimit në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Vullneti i qytetarëve serbë për t’u integruar në të gjitha strukturat e Kosovës dëshmon se shantazhit dhe instrumentalizimit nga Beogradi po i vjen fundi”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Zëvendësministri i Mbrojtjes i Kosovës, Agim Çeku njoftoi më herët mbylljen e konkursit të Ministrisë për pranimin e 650 ushtarëve, ku tha se në mesin e tyre ka dhe serbë.
Është pohuar se vitin e kaluar prej 137 serbëve që janë bërë pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës, rreth 50 prej tyre u larguan nga shërbimi ushtarak në ato forca dhe dyshohej për “presion nga Beogradi.”
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha të premten në Rashkë, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, se shqiptarët duan që të përfshijë sa më shumë serbë në ushtrinë e Kosovës dhe u kërkoi atyre që të mos përgjigjen.