Interi i Conte-s vijon të humbasë pikë tepër të vlefshme për objektivat e këtij sezoni në Serie A, madje humbja e fundit ka qenë me të vërtetë dramatike, e cila mund të ketë shuar edhe shpresat më të vogla për titull kampion këtë sezon.
Zikaltrit u mposhtën 1-2 në San Siro nga Bolona, një kundërshtar i vështirë, por për mënyrën se si erdhi ndeshja këtë rezultat as Mihailovic, trajneri i miqve, nuk do ta ketë menduar.
Lukaku kaloi Interin në avantazh në minutën e 22 dhe skuadra e Conte-s vijoi të luajë mirë, madje mori një ndihmë të madhe me nisjen e pjesës së dytë, kur Soriano e la Bolonjën me një lojtar më pak. Në minutën e 62-të, Interi fitoi edhe një 11-metërsh, por Martinez gaboi.
Më pas nis kthesa e madhe. Juwara barazon rezultatin në minutën e 74-t, ndërsa vetëm 3 minuta më pas Bastoni merr kartonin e dytë të kuq, duke rikthyer edhe ekuilibrat numerik në fushë. Në minutën e 80 Interi kapitullon totalisht, kur Barrow shënoi golin e avantazhit për Bologna-n.
Me këtë humbje, Interi mbetet 11 pikë larg Juventusit të vendit të parë, ndërsa tashmë rrezikohet të humbasë edhe vendin e tretë, duke qenë se Atalanta është katër pikë më pak dhe mund ta çojë këtë diferencë në 1 pikë nëse do të fitojë ndeshjen e sotme ndaj Cagliarit.