Milani humbet vetë “match point”-in e parë për të siguruar pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm. Skuadra kuqezi dështoi të merrte fitoren përballë Cagliarit në “San Siro” dhe detyrohet të kërkojë me çdo kusht suksesin me Atalantën në javën e fundit të Serisë A për të mbajtur poshtë vetes në renditje Juventusin dhe Napolin.
Nëse “Djalli” nuk ia del të marrë tri pikë ndaj bergamaskëve dhe Juvja e Napoli i fitojnë ndeshjet e tyre, jashtë Championsit do të mbetej skuadra e Piolit.
Edhe kronika e ndeshjes tregon që Milani, përtej presionit të ushtruar në fushën e Cagliarit ka bërë pak për ta merituar fitoren, madje në dy momente ishullorët iu afruan golit me Pavolettin dhe Godin, por reagoi në mënyrën e duhur Donnarumma.
Seria A do të vijojë të dhurojë emocione edhe në javën e fundit, me Juventusin që do të shpresojë në një tjetër garë të Milanit, për t’u rrëmbyer kuqezinjve renditjen në zonën Champions.