Kryesore “Harrojeni se Beleri betohet”, Rama i përgjigjet Greqisë: Nuk negociojmë kundër interesit...

“Harrojeni se Beleri betohet”, Rama i përgjigjet Greqisë: Nuk negociojmë kundër interesit të Shqipërisë

Kryeministri Edi Rama ka hedhur kategorikisht poshtë shanset e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri për të kryer betimin në detyrë.

Në emisionin “Debat” në A2CNN, Rama tha se për këtë çështje nuk do të negociohet as me Këshillin Europian, ku Greqia ka ngritur zërin për çështjen Beleri, edhe nëse Athina vijon të bëjë presion me bllokimin e integrimit të Shqipërisë në BE.

“Si bëhet betimi është pyetja? Deri më sot ju keni një vendim të Gjykatës së Lartë të para pak vitesh, e cila ka ngarkuar Gjykatën Speciale të trajtojë këtë çështje. Sepse kërkesa për të bërë betimin u bë te ne. Ne s’kemi asnjë mundësi të vendosim bëhet apo s’bëhet betim. Ne e kemi bërë shumë të qartë. Që sikur të kthehet përmbys gjithë Këshilli Europian ne nuk negociojmë asnjë gjë kundër interesit më të madh strategjik të Shqipërisë, sot, që është zbatimi i Reformës në Drejtësi dhe moscenimi i pavarësisë së institucioneve të drejtësisë. Ca kohë kërkonin këtë, mor nuk e bëjmë dot harrojeni se futemi ne në këtë. Jo bllokim të integrimit. Se nuk është bllokim i integrimit fare se ajo është një proces politik.”

Shefi i qeverisë e bëri të qartë në qëndrimin e tij se në Shqipëri pushtetet janë të ndara dhe fati i Belerit do të vendoset nga drejtësia.

Referuar kërkesës së posaçme për t’u liruar për të kryer betimin, të cilën Beleri ia ka drejtuar Drejtorisë së Burgjeve, Rama tha se Gjykata e Lartë e ka hedhur poshtë, duke nënvizuar në vendim se këto kompetenca nuk i takojnë Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.

“Mbasi ata për një kohë të caktuar kanë kërkuar nga ne. E kërkonin kështu Shqipëria. Shqipëria ka pushtet legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor. Mbasi e kemi përsëritur që nuk mund të bëjë Drejtori i Burgjeve diçka të tillë. Se nuk e ka në ligj. Ligji e thotë shumë qartë kur bëhet betimi. Mbasi humbën kohë, dhe shkuan në Gjykatë të Durrësit, Gjykata e Lartë ia çoi Gjykatës Speciale dhe në vendim thuhet drejtori i burgjeve nuk ka asnjë fuqi që të zgjidhi këtë çështje, që të japi leje. As leje që të shkojë para këshillit bashkiak, dhe as këshilli bashkiak të shkojë në burg dhe as zotëria të marri një noter në burg. Unë jam me Shqipërinë. Të jesh me Shqipërinë sot është të jesh me pavarësinë e sistemit të drejtësisë. Institucionet e drejtësisë nuk janë të shkëlqyera, dakord, por kjo është e vetmja rrugë nëse ne duam që realisht ky vend të bëhet shtet. Është e parë që nga 1912 që ky vend ka një strukturë të drejtësisë të përbërë nga SPAK dhe Gjykata Speciale ku pushteti ekzekutiv nuk i fut duart dhe nuk ndërhyn.”

“Uroj shumë të dini se çfarë bëni”, Rama zbulon çfarë i tha drejtorit të policisë kur u ndalua Beleri

Kryeministri Rama u shpreh se për arrestimin e Fredi Belerit është njoftuar vetëm kur policia është nisur për të ndërhyrë.

Ai ka treguar se i ka thënë drejtorit të policisë se kjo është një çështje shumë e rëndë dhe duhet të bëjnë kujdes.

“Greqia ka të drejtën e saj të bëjë spekulime duke marrë këto fakte dhe duke i bashkuar me një çështje që nuk ka asnjë lidhje. Kjo është një mënyrë interpretimi. E para, unë nuk jam marrë gjithë fushatën me zotërinë. Unë mund të kem shumë të meta, por budalla nuk jam. Nëse do të kisha dijeni që ndaj tij po bëja hetim, nuk do të kishte sulm politik ndaj tij.

Hetimi ka nisur nga prokuroria e Vlorës dhe nuk është e vërtetë që çdo çështje duhet të hetohet që në gjenezë nga SPAK. Prokuroria ka nisur një hetimin dhe prokuroria nuk varet nga ne. Policia ka marrë dijeni për të ndërhyrë vetëm pak orë para ndërhyrjes. Unë jam njoftuar që policia u nis për të ndërhyrë dhe i kam thënë drejtorit të policisë, uroj shumë të dini se çfarë bëni sepse nëse kjo nuk qëndron, atëherë është shumë e rëndë”.

I pyetur nëse drejtësia po vepron me dy standarde për luftën ndaj krimeve zgjedhore, duke përmendur rastin e Belerit dhe të kryetarit të bashkisë së Rrogozhinës, Rama u shpreh se kjo nuk qëndron pasi në burg kanë përfunduar edhe nga radhët e mazhorancës dhe këtu solli edhe rastin e Safet Gjicit.

“E dyta, është njësoj si të krahasosh një shalqi me një kungull. Blerja e votës dhe kapja në flagrancë është një gjë dhe hetimi për një telefonatë që lidhet me lidhjen elektrike të një familjeje, është një gjë tjetër. Edhe ai i Rrogozhinës po hetohet. Në qeli sot, në paraburgim ka kryetar bashkie të zgjedhur në ato zgjedhje që mbahen atje për seks oral. Jemi në kushtet kur nuk bëjmë dot krahasime fare. Për blerje votash janë dënuar komisionerë të PS-së, janë dënuar, dënohen, ata që kapen dhe provohen. Thelbi në këtë histori është që Greqia nuk ka asnjë të drejtë. Ne kemi një drejtësi për të gjithë dhe jo e ndarë, nuk është një çështje e minoritetit”, tha Rama.