Nëse tre vitet e fundit të fluturoje nëpër Europë ka qenë mjaft lirë, me bileta që zbritën deri në 20 euro në një drejtim, sidomos për destinacionet italiane, nga viti i ardhshëm do të duhet të mendoheni mirë para se të udhëtoni.
Që nga marsi, e sidomos nga prilli i vitit që vjen, biletat do të jenë shumë të shtrenjta.
Sipas një kërkimi që “Monitor” bëri në faqen e internetit të Wizz Air, – operatori më i madh në Shqipëri, me gati 60% të tregut, që bëri revolucion në treg duke ulur ndjeshëm çmimet -, biletat janë dukshëm më të shtrenjta sesa kanë qene vitet e fundit, deri në 2-5 herë më të larta.
Shtrenjtimi më i madh është për Romës, që është dhe një nga destinacionet kryesore ku fluturojnë shqiptarët.
Nëse pret sot një biletë për në Romë për datën 15 prill, çmimi më i lirë për në vajtje është 90 euro dhe kthimi është 110 euro, pra bileta në total kushton 200 euro. Edhe në maj, çmimet janë të ngjashme, në rreth 180 euro vajtje dhe ardhje.
Milano ka qenë deri tani një nga destinacionet më të lira, me bileta që kushtonin edhe 20 euro në një drejtim. Çmime të tilla mund të gjesh deri në shkurt të vitit të ardhshëm. Por, nëse do të udhëtosh në Milano në prill, bileta e vajtjes në 15 prill varion nga 80-130 euro dhe e kthimit nga në 18 prill nga 70 deri në 110 euro, në varësi të orarit të fluturimit. Pra më e lira vajtje-ardhje është 150 euro. Në maj, bileta kushton mesatarisht 120-150 euro (vajtje-ardhje).
Bari, një nga destinacionet më të afërta është gati 200 euro në prill dhe zbret në 80 euro në maj (dy drejtime) nga rreth 40 euro që mund ta gjeje këtë vit, duke të paktën dyfishuar çmimet.
Më e shtrenjtë është dhe Gjermania. Për në Dortmund në datat 15 dhe 18 prill, bileta në dy drejtime është rreth 200 euro, nga 60-80 minimalisht që e gjen gjatë këtij vit, nëse e pret më herëti. Edhe në maj, Dortmund është 180 euro për dy drejtime.
Parisi në maj (19-22 maj) është 230 euro vajtje ardhje. Këtë vit në prill, biletat për në Paris, nëse i prenotoje pak javë më herët mund ti blije edhe me 60-100 euro (vajtje-ardhje).
Të shtrenjta janë biletat dhe me operatorë të tjerë.
Alba Wngs i ka të skeduluara fluturimet për në Milano (tre herë në javë) deri në janar. Për vajtje në 6 janar dhe kthim në 9 janar (të fundit data që mund të blihet bileta) kushton 227 euro.
Në prill, më e lirë për në Milano është Air Albania. Nëse prenoton sot për vajtje në datën 15 prill ka vetëm dy vende me çmim promocional 37.5 euro dhe më pas bileta kushton 112 euro. Për kthimin në 18 prill, ka 10 vende me çmim promocional 50 euro dhe pas mbarimit të tyre çmimi shkon në 125 euro.
Për në Romë, një tjetër operator është dhe ItaAirways. Vajtja për në datën 15 prill fillon nga 77 dollarë dhe kthimi 65 dollarë. Çmime të ngjashme ka dhe në maj, por kthimi është më i shtrenjtë, arrin dhe në 100 dollarë.
Pse u rritën çmimet
Burime nga tregu pohojnë se shtrenjtimi lidhet me dy arsye. Së pari është rritja e kostove në përgjithësi, sidomos atyre të karburanteve. Një tendencë e ngjashme ka ndodhur dhe me operatorët e tjerë ajrorë kudo në botë.
Së dyti dhe më e rëndësishmja është rritja e dominimit të tregut nga operatori hungarez me kosto të ulët Wizz Air. Pasi mori tregun përmes çmimeve të lira, Wizz u bë shumë konkurrues në treg, duke bërë që operatorët e tjerë të reduktojnë numrin e linjave, ose të ndalin zgjerimin e tyre. Kjo situatë e bën atë dominues në fiksimin e çmimeve më të larta.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Aviacionit Civil, në fund të tremujorit të dytë 2022, Wizz Air kishte 58.4% të tregut të fluturimeve, nga 42% në fund të vitit 2021. Operatori i dytë kishte një peshë shumë më të ulët, vetëm 7.8% (nga 11.6% në fund të vitit 2021) e ndjekur nga Albawings me 6% (nga 7.1% në fund të 2021-t).
Autoriteti i Aviacionit Civil, pohon në raportin e fundit se rritja e Wizz Air ka qenë e lidhur me çmimet konkurruese dhe destinacionet e shumta.
Çmimet e lira dhe heqja e kufizimeve që u vendosë gjatë pandemisë, së bashku me kthimin e Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik ka shtuar ndjeshëm fluksin e pasagjerëve që udhëtojnë përmes Rinasit.
Sipas INSTAT, për periudhën janar-shtator 2022 fluturuan përmes ajrit 3.9 milionë pasagjerë, pothuajse dyfishim në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor