Mbretëresha Elisabeth II i ka dhënë fund, në mënyrën e saj, diskutimeve të gjata mbi marrëdhënien e tensionuar me nipin e saj princin Harry dhe bashkëshorten Meghan.
“Telenovela” që prej muajsh ndan opinionin publik britanik mori një drejtim zyrtar sot me një deklaratë të Buckhingam Palace nga vetë monarku britanik, i cili deklaroi se, të paktën në formën zyrtare, historia e dukëve të Sussex me familjen mbretërore ka përfunduar.
Sipas deklaratës vendimi ka ardhur si pasojë e një marrëveshje, por tingëllon më shumë një vendim i prerë i personit që prej pothuajse 70 vitesh drejton atë që mbetet nga Perandoria Britanike.
Çifti i ri do të humbasë titullin e “Lartësia Mbretërore” dhe nuk mund të përfaqësojë më në takime zyrtare mbretëreshën.
Po ashtu, marrëveshja ka edhe një aspekt financiar. Dukët e Sussex nuk mund të marrin më fondet shtetërore, madje do të paguajnë edhe punimet e kushtueshme të shtëpisë së tyre të Frogmore Cottage, rreth 3 milionë euro, që do të mbetet gjithsesi e tyre.
Mbretëresha nuk harroi gjithsesi se mbetet një gjyshe, duke nënvizuar se “Harry, Meghan dhe Archie do të jenë gjithmonë të dashur në familjen tonë”, por nuk mund të mos vërehet pak ironi angleze kur shtohet se “është krenare për mënyrën sesi Meghan aq shpejt u bë pjesë e familjes”, dhe se shpreson që “marrëveshja do të mundësojë fillimin e një jete të lumtur plot paqe për to”.