Sipas mediave në Gjermani, Harry Kane thuhet se është gati të “blejë veten” në vitin e fundit të kontratës së tij me Tottenham-in për të lëvizur drejt Bayern Munihut këtë verë.
E ardhmja e kapitenit të Anglisë është bërë saga më e vështirë e transferimeve të verës me Spurs të bindur se do të duhet një tarifë prej 100 milionë paund për ta lënë sulmuesin të largohet.
Bayern-i, i cili ka parë të refuzuara deri tani tre oferta për 30-vjeçarin, është shfaqur si destinacioni më i mundshëm i Kane me drejtuesit e klubit Jan-Christian Dreesen dhe Marco Neppe që fluturuan në Londër për bisedime me bosin e Tottenham, Daniel Levy të hënën.
Një ofertë e tretë që besohet të ishte në kufirin e 85 milionë paundëve, u refuzua me shpejtësi nga skuadra e Premier League.
Megjithatë, pavarësisht se tarifa eklipson blerjen rekord të klubit gjerman, është ende pak në krahasim me vlerësimin e Spurs.
Gazeta gjermane “Bild” raporton se Kane mund të vendosë të “blejë veten” nën vitin e fundit i kontratës së tij me Spurs, duke hequr dorë nga një pjesë e konsiderueshme e pagës së tij, e cila besohet të jetë rreth 20.6 milionë paund në vit.
Kjo shumë mund të mjaftonte për të mbyllur hendekun midis pozicioneve të dy klubeve dhe do të ishte një hap i jashtëzakonshëm nga golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave të Tottenham-it për t’u larguar nga Londra veriore.
A lejohet që Kane të paguajë për të shkëputur kontratën?
Neni 17 i Rregullores së FIFA-s thotë se çdo lojtar që ka nënshkruar një kontratë para moshës 28-vjeçare mund ta blejë veten nga kontrata tre vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes.
Termi është emërtuar si “vendimi e Webster-it” pasi Andy Webster krijoi precedentin gjatë lëvizjes së tij nga Hearts of Midlothian te Wigan Athletic në vitin 2006.
Rregulli thotë se çdo lojtar që zgjedh këtë opsion, duhet t’i sigurojë klubit një formë kompensimi.