“The Guardian” raporton se Princi Harry ka pohuar se vëllai i tij, Princi William e ka sulmuar atë fizikisht duke iu referuar një kopjeje të kujtimeve të Harryt në librin “Spare”.
“Guardian” thekson se libri tregon për një debat mes vëllezërve për shkak të bashkëshortes së Princit Harry, Meghanit.
“Ai më kapi për jake, më prishi varësen që mbaja në qafë dhe më rrëzoi në dysheme. U përplasa në tasin e qenit, i cili u plas nën shpinë, copat më prenë. U shtriva për një moment i trullosur, pastaj u ngrita në këmbë dhe i thashë të dilte jashtë”, citon “The Guardian” të ketë shkruar Princ Harry.
Kujtimet nuk do të publikohen deri të martën e ardhshme, por “Guardian” tha se kishte siguruar një kopje të librit “Spare”.
Buckingham Palace ende nuk i është përgjigjur një kërkese për koment.
Sipas “Guardian”, në libër thuhet se debati u shkaktua nga komentet që Princi William i bëri Princit Harry në shtëpinë e tij në Londër në vitin 2019. Princi Harry shkruan në librin e tij të kujtimeve se vëllai i tij ishte kritik për martesën e tij me Meghan Markle.
Princi Harry shkruan se vëllai i tij e nxiti atë të kundërpërgjigjej dhe ai refuzoi ta bënte këtë, sipas “Guardian”, por Princi William më vonë u duk “i penduar dhe kërkoi falje”.