Ish-kryeministri dhe kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha ka dënuar hartën e re gjyqësore që ka të bëjë me mbylljen e disa gjykatave të shkallave të para në rang vendi.
Në një deklaratë nga selia blu, Berisha deklaroi se mbyllja e 9 gjykatave të shkallëve të para do të penalizojë qytetarët.
“Edi Rama urdhëroi në një akt të papërgjegjshëm dhe politik KLGJ e partisë të mbyllë 18 gjykata në shkallë vendi. Kështu me hartën e re gjyqësore të Edi Ramës mbyllen 9 gjykata të shkallës së parë dhe mohohet aksesi i qytetarëve të 9 qyteteve në sistemin e drejtësisë. Mbyllet gjykata e Shkodrës, Pukës, Matit, Kurbinit Kavajë, Krujës, Lushnjes, Pogradecit dhe Përmetit. Mbyllen 4 gjykata administrative.
Mbyllen 5 gjykata të apelit dhe ngelet vetëm Apeli i Tiranës, praktikë 100% e dështuar pasi u eksperimentua në vitin 1999.
Me këtë vendim gjobiten dhe ndëshkohen banorët e 10 qyteteve të vendit të cilët duhet të udhëtojnë qindra kilometra rrugë për të shkuar në gjykatën e rrethit tjetër.
Miratimi i hartës së re gjyqësore është shkelje e rëndë e të drejtave themelore të njeriut. Mbyllja e shumë gjykatave cënon aksesin në drejtësi të individit dhe procesin e realizimit të mbrojtjes. Vendimi i KLGJ dhunon jo vetëm interesat direkte të publikut por dhe të grupeve të interesit”, u shpreh Sali Berisha.