Ushtria izraelite thotë se ka vrarë liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah, në një seri sulmesh në periferi të Bejrutit, në Liban.
Nëpërmjet një reagimi në rrjetin social X, ushtria izraelite ka shkruar: “Hassan Nasrallah nuk do të jetë më në gjendje të terrorizojë botën”.
Disa orë më parë u raportua nga mediat botërore se sulmet raketore të Izraelit në periferi të Bejrutit synonin vrasjen e liderit të Hezbollahut.
Nga Hezbollahu nuk ka reagim ende.
Hassan Nasrallah është udhëheqës i lëvizjes militante të Hezbollahut në Liban, dhe një nga figurat më me ndikim në Lindjen e Mesme.
Një figurë e errët me lidhje të ngushta personale me Iranin, ai luajti një rol kyç në kthimin e Hezbollahut në forcën politike dhe ushtarake që është sot.
Prej vitesh ai nuk është parë në publik, pasi i frikësohej faktit se mund të vritej nga Izraeli.
Hezbollahu, nën udhëheqjen e Nasrallah, ka ndihmuar në stërvitjen e luftëtarëve të armatosur të grupit palestinez Hamas, si dhe milicitë në Irak e Jemen, sikundër ka marrë edhe raketa nga Irani që i ka përdorur kundër Izraelit.