Gjatë Inkuizicionit Spanjoll, hebrenjtë që nuk u konvertuan vullnetarisht në katolikë, sipas Ediktit të Dëbimit të vitit 1492, u dëbuan nga vendi ose në rast rezistence, u vranë. Gjatë asaj kohe, sulltan Bajaziti II i Perandorisë Osmane, ftoi hebrenjtë të vendoseshin në Ballkan, ku u lejohej të ruanin fenë dhe zakonet e tyre. Shumë prej tyre zgjodhën të transferoheshin në Perandorinë Osmane dhe në vende ku ajo sundonte, ndërsa të tjerët u zhvendosën në Afrikën e Veriut, Holandë dhe Amerikë.
Pasardhës të shumtë të hebrenjve të dëbuar nga Spanja e asaj kohe, gjenden sot në Bosnjë-Hercegovinë dhe kanë ruajtur shumë prej traditave, zakoneve, por edhe gjuhën e tyre. Gjatë 500 viteve të fundit, gjuha që ata kanë trashëguar, ka arritur të ruajë strukturën e spanjishtes mesjetare, ndonëse tingëllon më shumë si spanjishtja e Amerikës Latine sesa spanjishtja evropiane.
Sot, kjo gjuhë njihet me një numër emrash të ndryshëm: Ladino, Judeo-Spanjisht, Judezmo, Spanyolit, Djidió (në Bosnjë dhe Hercegovinë) dhe Haketia (në Afrikën e Veriut). Sipas UNESCO-s, ajo është një nga 6000 gjuhët në botë që rrezikojnë të zhduken.
Para se të dëboheshin nga Spanja, hebrenjtë përdornin shumë fjalë arabe, pasi shumë prej tyre jetuan nën sundimin e fiseve maure (arabe). Ladino gjithashtu u ndikua shumë edhe nga rajone të ndryshme të Spanjës, ndaj ishte edhe një përzierje dialektesh. Ndërsa pas zhvendosjes në Ballkan, gjuha u ekspozua edhe ndaj gjuhëve të tjera.
Para Luftës së Dytë Botërore, popullsia hebreje e Sarajevës numëronte rreth 12 000 veta, dhe ky komunitet madje botonte gazetën e vet në këtë gjuhë. Megjithatë, pas Holokaustit, vetëm 2500 hebrenj u kthyen në Sarajevë dhe Ladino për shkak të shumë rrethanave nisi të humbasë. Sot, kjo gjuhë 500-vjeçare përdoret kryesisht në sinagoga, gjatë leximeve liturgjike apo mes pak individëve që akoma e zotërojnë disi këtë gjuhë.