Kryesore HEC-i i Skavicës, Rama: Do ndërtohet nga SHBA

HEC-i i Skavicës, Rama: Do ndërtohet nga SHBA

Tirana mirëpriti mbledhjen e 6-të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, një mbledhje që u konkretizua me firmosjen 14 marrëveshje që kishin në thelb moton e këtij takimi “Bashkë pa kufij”.

Dy projektet më të rëndësishme e që pritet të shohin dritën e nisjes së zbatimit brenda vitit janë: krijimi de fakto i pikës doganore të Kosovës në portin e Durrësit si dhe nisja e studimit të fizibilitetit për projektin që lidh me hekurudhë Durrësin e Prishtinën.

“Dogana e Durrësit në dispozicion të plotë të Kosovës dhe që e kthen portin e Durrësit de fakto të Kosovës”, tha Rama. Hoti shtoi: Do të fillojë menjëherë, krejt fokusi do jetë në realizimin e këtyre projekteve.

Një tjetër projekt që nuk ishte pjesë e marrëveshjes, por që u pranua nga dy kryeministrat në konferencën e përbashkët është dhe ai për ndërtimin e një hidrocentrali të përbashkët. I pyetur mbi projektin, kryeministri Rama nuk dha detaje, por la të kuptohet se do të jetë hidrocentrali i Skavicës duke dhe dhënë dhe lajmin që ai do të financohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Na dogje një lajm, për respekt tuaj po e them sot se do e dëgjonit nesër. Ne me SHBA nesër firmosim një marrëveshje për Skavicën që do të financohet nga SHBA, një gjest fantastik i vullnetit të SHBA për t’i shprehur Shqipërisë konsideratën më të lartë, çka ne kemi bërë në qeverisjen e vendit në këtë përiudhë për çështet e shprehura në letrën e Presidentit”, tha Rama.

Hidrocentrali i Skavicës do të plotësojë hartën e hidrocentraleve në kaskadën e Drinit. Në qershor Edi Rama deklaroi se vepra energjetike do të kushtojë 510 milionë euro, nga të cilat 350 do të shkojnë për ndërtimin dhe pjesa tjetër për shpronësimet e investimet në infrastrukturë. Gjithashtu, ai premtoi se puna do të nisë vitin e ardhshëm.