Deputeti i Partisë Socialiste Taulant Ballla ka kritikuar kompaninë që po ndërton HEC-in mbi kanionin e Holtës që nuk ka biseduar më parë me banorët rreth projektit. Gjithashtu Balla iu premtoi banorëve se nëse një qime floku t’i preket kësaj bukurie natyrore, projekti do të shkojë direkt në anulim.
“Shumë gabim që kompania nuk ka bërë prezantimin e projektit. Fajin e kemi edhe neve që nuk përfshimë njerëzit në transparencën e këtij projekti. Na thanë banorët që bllokohet hyrja në kanion dhe nëse kjo ndodh kanioni del jashtë çdo funksioni. Po i bllokove hyrjen ti, si do hynë ata, me not?”, iu drejtua me kritika Taulant Balla, përfaqësuesit të kompanisë që po ndërton HEC-in mbi Holtë.
Më pas ai falënderoi banorët që u ngritën në protestë.
“Protesta ia vlejti, sepse po të mos ishit ngritur ju në protestë, ne nuk do ishim sot këtu. Falënderoj Belindën që mori vendimin për anulimin e projektit, jo vetëm për HEC-in këtu në Holtë, por për një numër të madhe HEC-esh në vend. Procesi i pezullimit do shoqërohet me një proces sqimatar, për të parë detaj më detaj të gjithë projektin, me garancinë që një qime floku t’i preket kësaj bukurie natyrore, do shkohet direkt në anulim”, premtoi Balla.
Më pasi ai tha se çdo aset bukurie natyrore duhet vënë në dispozicion të zhvillimit ekonomik.
“Çdo aset bukurie natyrore që kemi, duhet ta vëmë në dispozicion të ekonomisë. Duhet të gjejmë një ekuilibër mes zhvillimit ekonomik dhe bukurisë natyrore. Jemi në krah të njerëzve, sepse vëmendja është për ju, banorët e kësaj zonë dhe banorët e Gramshit. Të jeni të sigurt që do e mbajmë fjalën që dhamë sot këtu përpara jush”, përfundoi ai.