Portieri i Partizanit Aldo Teqja po zhvillon betejën më të rëndësishme gjatë këtyre orëve, atë me jetën e tij. Futbollisti 24-vjeçar është hedhur dje nga kati i gjashtë i një pallati në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë, për shkak të dëmtimeve në mushkëri.
Mjekët raportuan dje se rreziku për jetën ka kaluar, pasi nuk ka dëmtime në organet jetësore, edhe pse gjithçka mbetet për t’u parë në orët në vijim. Pas ndeshjes PartizaniTeuta 1-1, të luajtur dje në “Selman Stërmasi”, futbollisti i Partizanit mësohet se ka qenë duke u kthyer në shtëpi.
Rreth orës 19:40, ai ka qenë pranë banesës së tij në “Komunën e Parisit”, aty ku jeton në një apartament me qira prej disa muajsh, së bashku me partneren. Burime nga klubi bëjnë me dije se Teqja ka qenë në një automjet së bashku me partneren dhe kur kanë mbërritur në afërsi të kompleksit, ai ka dalë i pari nga makina.
Burimet bëjnë me dije se portieri ka pasur një debat me partneren dhe pasi ka dalë nga makina, ka vendosur të ngjitet i vetëm në apartamentin që ndodhej në katin e gjashtë të pallatit, shkruan Panorama Sport.