Forca Ajrore shqiptare do të modernizohet falë mbështetjes së Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.
Gjatë qëndrimit në SHBA, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka vizitoi Gardën Kombëtare të Nju Xhersit në Bazën e Përbashkët McGuire-Dix-Lakehurst, ku u prit nga komandanti i saj, gjeneral brigade Jemal J. Beale.
Gjatë kësaj vizite u finalizua marrëveshja dypalëshe mes Departamentit Amerikan të Mbrojtjes dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë për marrjen e disa helikopterëve të tipit “Black Hawk”. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e vlerësoi këtë si një ndihmë të jashtëzakonshme që i jepet Shqipërisë.
“Mbështetja që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë përmes paketës të suportit, jo vetëm modernizon kapacitetet tona, por rrit edhe gatishmërinë dhe operacionalitetin e Forcës tonë Ajrore”, u shpreh ministrja Xhaçka.
Këtë verë, pilotët dhe teknikët e Forcës Ajrore shqiptare do të nisin trajnimin e për përdorimin e helikopterëve “Black Hawk” në Gardën Kombëtare të Nju Xhersit, e cila do të kujdeset gjithashtu edhe për mirëmbajtjen e këtyre mjeteve fluturuese.