Irani ka rekrutuar në fshehtësi banda kriminale dhe vrasës me pagesë për të sulmuar disidentët në Perëndim, raporton media amerikane “Washington Post”.
Këto agjentë të rekrutuar përfshijnë anëtarë të grupeve famëkeqe si banda e motoristëve Hells Angels, mafia ruse, trafikantë lëndësh narkotike dhe kriminelë të tjerë nga Europa Lindore dhe jo vetëm.
Sipas autoriteteve britanike dhe amerikane, të cituara në shkrim, Teherani është i lidhur me disa komplote për vrasje dhe rrëmbime në Evropë dhe SHBA, duke shënjestruar gazetarë, aktivistë dhe ish-zyrtarë iranianë.
Një hetim zbuloi disa tentativa për vrasje, duke përfshirë atë ndaj Alejo Vidal-Quadras, ish-nënkryetar i Parlamentit Evropian, dhe ish-këshilltarit të sigurisë kombëtare të SHBA, John Bolton. Përveç këtyre rasteve, Teherani është lidhur edhe me sulme ndaj institucioneve hebraike në Evropë, veçanërisht në Francë dhe Gjermani.
“Washington Post” shkruan se regjimi iranian ka intensifikuar marrëdhëniet me këto grupe, duke i përdorur ato si ndërmjetës për të kryer komplotet e tij kundër kundërshtarëve të regjimit.
Marrëdhënia e qeverisë iraniane me këto grupe është bërë në përpjekje për të shmangur akuzat e drejtpërdrejta nga Perëndimi për përfshirjen e regjimit iranianin me vrasjet dhe atentatet.
Shërbimi Britanik i Sigurisë, MI5, ka identifikuar të paktën 15 komplote për vrasje dhe rrëmbime të organizuara nga Irani ndaj kritikëve të regjimit, të orkestruara nga elita e Gardës Revolucionare të Iranit.