Ish-ministri i Brendshëm, socialisti Fatmir Xhafaj ka thyer heshtjen lidhur me vendimin e tij për të dhënë dorëheqjen nga posti i rëndësishëm që mbante në qeverinë Rama.
Xhafaj për herë të parë ka thënë se nuk e përjashton mundësinë që pas sulmeve ndaj tij dhe largimit nga posti i ministrit të Brendshëm, të fshihen dhe persona brenda maxhorancës. Në një intervistë për Dita, Fatmir Xhafaj ka thënë se e ka menduar se ndaj tij ka patur komplot nga eksponentë brenda shumicës qeverisëse.
“Nuk dua ta besoj që gjërat kanë arritur deri këtu, por për hir të së vërtetës edhe e mendoj. Kam dëgjuar shumë në këtë aspekt nga shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Ndoshta ka edhe të vërteta në këtë histori, por preferoj që helmin brenda familjes sime politike ta tres dhe jo ta shes”, ka thënë Xahfaj.
Ai ka shtuar më tej se në Partinë Socialiste ku ai bën pjesë, ka persona që nuk ndajnë vlera të përbashkëta, dhe se mirënjohjen e kanë thjeshtë slogane fjalimesh.
“Si në çdo bashkësi politike, edhe kjo ku unë bëj pjesë nuk është imune nga disa “vese” apo nga individë që nuk ndajnë qëllime e vlera të përbashkëta me këtë forcë politike dhe që solidaritetin apo mirënjohjen i kanë thjesht slogane fjalimesh. Nuk më vjen mirë për këtë, sigurisht, por ky është realiteti ku jetojmë dhe këtij realiteti unë jam përpjekur t’i qëndroj ashtu si meritohet. Me integritet dhe ndershmëri. Kush është aty brenda, e njeh shumë mirë këtë pozicion timin. Jam i lumtur që kam pasur mbështetjen e miqve të mi të shumtë brenda dhe jashtë PS-së, pa mbështetjen e të cilëve nuk do ta kisha të lehtë ta kaloja këtë situatë të vështirë personale dhe familjare. Situata të tilla të bëjnë të testosh veten, forcën dhe karakterin që ke, familjarët por edhe miqtë e tu. Test ky që siç e shoh dhe siç thonë, u kalua me sukses”, thekson Xhafaj.
Roli i Kryeministrit
Xhafaj ka folur edhe për rolin e Kryeministrit Rama dhe mbështetjen që ka patur nga ai gjatë periudhës që është akuzuar për çështjen “Babalja”.
Xahfaj ka deklaruar se Rama ka qenë avokat i së vërtetës në çështjen e akuzave për vëlliaj e tij.
“Po flasim për çështjen konkrete dhe deri në momentin që unë u largova nga detyra. Në këtë kontekst në vlerësimin tim Kryeministri Edi Rama në këtë çështje ka mbajtur një qëndrim realist si nga pikëpamja institucionale, ashtu edhe ajo njerëzore e personale. Ne i kemi vlerësuar disa qëndrime realiste të bëra publike prej tij në lidhje me çështjen e dënimit të tim vëllai, përdorimit të tij politik dhe sulmeve të pabaza nga opozita.
Është plotësisht në të drejtën dhe detyrimin ligjor e institucional të një kryeministri që në mënyrë të pavarur, me kanalet e tij, të marrë informacionet e nevojshme në raste të tilla. Në dijeninë time ai ka kërkuar informacion edhe më parë në vitet 2015 – 2016 kur opozita ka formuluar akuza ndaj meje lidhur me vëllain tim dhe atij si kryeministër i është dashur të shprehet publikisht për këtë gjë. Kam gjithë mirëkuptimin mbi atë që ai bëri si kryeministër edhe në këtë rast në lidhje me marrjen e informacionit të nevojshëm mbi vërtetësinë e materialit të audio-regjistrimit.
E vërteta që rezultoi nga këto verifikime të bëra nga struktura ndërkombëtare, por edhe nga ai vetë në institucionet ligjzbatuese të vendit nuk mundet të konsiderohet kurrsesi si mbështetje (e pajustifikuar) kundrejt meje. Në këtë çështje Edi Rama ka qenë avokat i së vërtetës. Nëse e vërteta do të ishte ndryshe, nuk do kishte nevojë për asnjë lloj akti prej tij si kryeministër në raport me mua, pasi do të isha unë vetë ai që do të merrte vendimet e duhura e të përgjegjshme”, thekson Xhafaj.
Akuzat ndaj kundërshtareve
Në intervistën e tij Xhafaj nuk ka lënë pa përmendur dhe kundërshtarët politike, duke e quajtur Sali Berishën si “baba intrigës”. “Për efekt të kësaj interviste kjo gjë ka pak rëndësi, por një fakt dihet mirë. Berisha është absolutisht babai i intrigës, shpifjes dhe fyerjes në politikë. Nuk arrij dot ta mendoj se si një person në moshën e tij, me gjithë atë formim kulturor e eksperiencë qeverisëse edhe sot vazhdon të ofrojë në publik të njëjtën gjuhë përçarëse, baltën, fyerjen e shpifjen për cilindo që nuk i përshtatet interesave të tij!! Ndaj është një person që nuk besoj se meriton më shumë komente”, thekson ai.
Ndërkohë që për qëndrimin e Presidentit i cili priti në takim ish-deputetin e PD, Ervin Salianji, Xhafaj shprehet se: “Veprimi i tij si president nuk më çuditi dhe as si Ilir nuk më zhgënjeu. Ish-deputeti i Bashës ka të drejtë të trokasë në çdo derë opozitare, pasi ata e nxitën drejt këtij inskenimi dhe duhet t’i dalin për zot dështimit të veprës së tyre”.
Ndërkohë që për Lulzim Bashën ai ka thënë se është drejtuesi më i paaftë i opozitës dhe si i tillë mund të presësh çdo gjë.
“Nuk mjafton të jesh shumë i ditur për të kuptuar që Lulëzim Basha përfaqëson drejtuesin e komanduar opozitar më të paaftë që ka njohur historia e pluralizmit politik në Shqipëri. Duke qenë i tillë, nga një i paaftë mund të presësh gjithçka. Nuk ka asnjë dyshim që Lulëzim Basha ka qenë tërësisht i përfshirë në këtë inskenim, pavarësisht se shumëkujt mund t’i duket një person që s’ka kapacitete për të bërë të tilla skenarë. Kjo gjë nuk më çudit aspak sepse ka të bëjë me karakterin e tij njerëzor, se sikurse thotë një njohës i mirë i tij “Basha të gënjen edhe kur e pyet për orën e dorës”. Stani që mblodhi ai në PD këtë bulmet do të prodhonte. Lulëzimi përmendet disa herë, me emër dhe mbiemër, në përgjimet e zbardhura, nga komunikimet e Babales me familjarët e tij, me Alizotin dhe të tjerët aty në PD.
Në 25 maj, një ditë para protestës së organizuar nga opozita e kohës kundër meje ku u kërkua edhe dorëheqja ime si ministër i Brendshëm, kam bërë një deklaratë për mediat në të cilën ndër të tjera kam thënë se: “Në këtë rast nuk ka dhe nuk mundet të ketë një rrugë të mesme, dy të vërteta, apo gjysmë të vërteta. E vërteta ime dhe e vërteta e Lulëzim Bashës e përjashtojnë qartësisht dhe plotësisht njëra-tjetrën, ndaj kush gënjen, duhet të mbajë përgjegjësitë e duhura politike dhe ligjore. E sfidoj kryetarin aktual të PD-së, Lulëzim Basha që edhe ai të deklarojë se merr përsipër të gjithë përgjegjësinë politike, duke u dorëhequr nga drejtimi i kësaj partie nëse provohet se personi në audio-përgjim nuk është vëllai im, si personi i akuzuar prej tij”. E në fakt, protesta u mbajt dhe për nga pjesëmarrja është një ndër protestat më të turpshme të zhvilluara në bulevard, që u katandis në disa mitingashë rrethesh poshtë Ministrisë dhe që ai vetë për arsye që i di mirë (sikundër i di edhe unë) erdhi dhe i tërhoqi vetë me bisht ndër shalë. E dimë edhe se si përfundoi procesi gjyqësor dhe se cilat janë përfundimet e gjykatës, por Lulëzimi vazhdon avazin dhe as zverdhet, as skuqet e as nxihet. Për të ka rëndësi fort karrigia e kryeministrit, por e vërtetuar shkencërisht askush nuk mund të shohë ëndrrën që sheh dikush tjetër në gjumë”, shprehet ai.