Presidenti amerikan Donald Trump, nuk ka pranuar që të dënojë Rusinë për helmimin e figurës së opozitës, Alexei Navalny, duke thënë se nuk kishte parë prova dhe se do ta shihte me shumë seriozitet atë që po ndodh.
Ai shtoi se çështja ishte “tragjike”, por nxiti gazetarët të përqendroheshin tek Kina, e cila sipas tij është një kërcënim më i madh për botën sesa Rusia.
“Unë nuk e di se çfarë ka ndodhur saktësisht. Mendoj se është e trishtë, tragjike, e tmerrshme. Nuk duhej të kishte ndodhur. Ne ende nuk kemi prova, por do ta shoh.”
Trump nuk mbajti një qëndrim aq të fortë sa Departamenti i Shtetit, i cili shprehu shqetësim për zbulimin se Navalny ishte helmuar me agjentin nervor Novichok.
Në një takim në Uashington, Zëvendës Sekretari i Shtetit, Stephen Biegun, i tha ambasadorit rus Anatoliy Antonov se përdorimi i kësaj arme kimike nga Moska do të ishte “një shkelje e qartë e detyrimeve të saj sipas Konventës së Armëve Kimike”.
Gjermania ka thënë se “ka prova të pakontestueshme” që Navalny u helmua me agjentin nervor Novichok dhe kërkon që autorët e krimit të japin llogari.
Rusia deri më tani nuk ka hapur një hetim penal dhe është shprehur se nuk ka ende prova se është kryer një krim.
Navalny njihet si një prej kundërshtarëve kryesor të Presidentit Vladimir Putin dhe njoftimi gjerman këtë javë se ai u helmua nga një agjent nervor ka rritur mundësinë e sanksioneve të mëtejshme perëndimore kundër Moskës.