Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ishte në spitalin e Krujës ku ka parë nga afër situatën e krijuar pasi atje janë paraqitur qindra qytetarë me shenja helmimi. Ministrja tha se rreth 370 qytetarë kanë marrë ndihmë mjekësore ndërsa në spital ndodhen 30 persona.
Ajo u shpreh se të gjitha strukturat e Ministrisë së Shëndetësisë janë në gatishmëri dhe po kryejnë hetimet në të gjitha pistat e mundshme.
“Ekspertët tanë po investigojnë në të gjitha pistat. Hetimi epidemiologjik po bëhet në të gjitha aspektet. Po pyeten qytetarët se çfarë kanë konsumuar”, tha ministrja.
Manastirliu njoftoi marrjen e mostrave dhe analizat laboratorike do të dalin për 24 deri në 72 orë.
“Do të kemi rezultat përfundimtar kur të kemi rezultatin e analizave”, tha Manastirliu.
Ministrja bëri të ditur se janë marrë masa që nëse do ketë raste të shtuara, jo vetëm spitali i Krujës, por edhe ai i Durrësit do të vendoset në gatishmëri.
Shenjat kryesore të qytetarëve që kanë pasur probleme kanë qenë të vjella, diarre, dhimbje barku dhe temperaturë. Pas marrjes së ndihmës në spital të sëmurët janë larguar për në banesë. Me marrjen e informacionit janë vënë në lëvizje autoritetet shëndetësore.