Trajneri i Manchester United, Erik ten Hag është ndalur te Cristiano Ronaldo në konferencën përpara transfertës së “Stamford Bridge” ndaj Chelsea.
Sulmuesi portugez kaloi shumë minuta në nxehje gjatë takimit United-Tottenham (2-0) dhe në minutat e fundit nxitoi të shkonte drejt dhomave të zhveshjes, dukshëm i zhgënjyer për faktin që trajneri nuk e aktivizoi.
37-vjeçari nuk është grumbulluar për duelin ndaj skuadrës londineze dhe sot është stërvitur me ekipin U21 të United, ndërkohë që klubi pritet t’i mbajë pagën e dy javëve, që është e barabartë me vlerën 1 milion paund.
Ten Hag ka treguar versionin e tij në lidhje me ngjarjen aspak të këndshme që ndodhi të mërkurën. “Po, është e vërtetë, Cristiano nuk pranoi të futej në fushë në minutat e fundit… Për këtë duhet të ketë pasoja, gjë e rëndësishme për mentalitetin dhe qëndrimin e grupit.
Nuk kam ndërmend ta tregoj çfarë biseduam me njëri-tjetrin, do të mbetet mes nesh. Megjithatë, unë mendoj se deklaratat e mia janë të qarta: Ronaldo mbetet një lojtar i rëndësishëm i Manchester United. Unë jam trajneri, jam përgjegjës për kulturën e ekipit.
Më duhet të vendos standarde vlerash. Është hera e dytë që ndodh një gjë e tillë, kështu që veprimi duhet shoqëruar me pasoja. Ai nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen ndaj Chelsea. Është një humbje për ekipin, por është e rëndësishme të ndërtohet mentaliteti i grupit”, deklaroi trajneri holandez i United.