Ai është cilësuar gjerësisht si “Ramboja” i Kosovës, madje edhe nga presidenti amerikan Donald Trump, por askush nuk e njihte deri më sot anën e butë të kryeministrit në largim të Kosovës, Ramush Haradinaj.
E ftuar në “T7”, bashkëshortja e tij Anita Haradinaj ka treguar për herën e vetme që e ka parë kryeministrin në dorëheqje, Ramush Haradinajn duke qarë. Ajo ka deklaruar se hera e vetme kur e ka parë bashkëshortin e saj duke qarë ka qenë kur është thirrur për herë të parë për t’u paraqitur në Hagë nën akuzën për krime lufte.
“Nuk më kujtohet nëse e kam parë ndonjëherë duke qarë. Në fakt po, ka qarë kur ka parë ftesën e parë për në Hagë”, ka thënë ajo.
Bashkëshortja e kryeministrit ka rrëfyer po ashtu se e ka marrë vesh për ftesën e fundit që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë dhe dorëheqjen e tij nga portalet.
Kam qenë në shtëpi duke pirë kafe. Hapa telefonin dhe pashë lajmet e portaleve një nga një. Fillimisht pash lajmin që kishte dhenë dorëheqjen. U trondita. Kur hyra të lexoja lajmin, u informova edhe për ftesën që ka marrë nga Gjykata Speciale”, rrëfen Anita Haradinaj.
Ramush Haradinaj u zgjodh për herë të dytë si kryeministër falë koalicionit të partisë së tij me Partinë Demokratike të Kosovës, Nismës për Kosovën, por edhe Aleancës Kosova e Re, Listës Serbe dhe partitë e tjera të minoriteteve. Ky koalicion i brishtë numrash do të sillte menjëherë përplasjet dhe me të fortat do të ishin ato kur Haradinaj u shpall kundër ndarjes së Kosovës dhe mosheqjes së taksës ndaj Serbisë. Konflikti do të ishte menjëherë mes tij dhe presidentit Thaçi se kush do të merrte drejtimin e bisedimeve të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, që zhvilloheshin nën patronazhin e Federicha Mogherinit.
Kjo është hera e dytë që Haradinaj jep dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ai u largua nga posti i kryeministrit të vendit më 8 mars të vitit 2005 për t’u dorëzuar vullnetarisht në Gjykatën për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, prokuroria e së cilës e akuzonte atë dhe dy bashkëluftëtarë të tij, për krime lufte. Procesi kundër Haradinajt filloi më 5 mars të vitit 2007 dhe përfundoi në prill të vitit 2008 me pafajësinë e tij. Haradinaj u rikthye në rigjykim të pjesshëm në korrik të vitit 2010, që ishte rasti i parë i atij lloji në veprimtarinë e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime Lufte. Më 29 nëntor të vitit 2012 ai sërish u shpall i pafajshëm. Tani ai është zyrtari më i lartë i thirrur për t’u paraqitur në Hagë, ku deri më tani janë ftuar dhjetëra ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.