Një histori mashtrimi është sjellë sërish në qendër të vëmendjes së policisë dhe medias.
Florian Gjergji, i shumëkërkuari i policisë për mashtrimin e biznesmenëve ka dalë sërish në skenë.
Biznesmeni nga Përrenjasi, Flamur Rrushi, pretendon se një person e ka telefonuar me aplikacionin Viber dhe i ka thënë se jam Taulant Balla dhe më duhen 100-mijë euro urgjent.
“Përshëndetje. Si kalove si je? Jam Taulant Balla. Më duhen urgjent 100 mijë euro”, ky është mesazhi që organizatori i një mashtrimi ia ka dërguar një biznesmeni në Përrenjas.
Oficerët kqyrën telefonin e shtetasit Flamur Rrushi, i cili kallëzoi se një numër në viber, që identifikohej si ministri i Brendshëm Taulant Balla, e mashtroi. Biznesmeni, sipas kërkesës së mashtruesit, ka ardhur në Tiranë me çantën 100 mijë euro dhe ia ka dorëzuar një taksisti.
“Mbajta shënim targat e taksistit”, tha biznesmeni në polici, raporton TCH.
Prokuroria e Elbasanit identifikoi taksistin, i cili deklaroi “erdha në Tiranë nga Lezha dhe mora nga Flamur Rrushi çantën. E pyeta fillimisht nëse është gjë e rrezikshme dhe më tha jo. Kur ia dhashë çantën, më dha 100 euro”, tha taksisti, i cili u la i lirë.
Por biznesmeni nga Përrenjasi nuk është i pari që ka rënë pre e këtij mashtrimi. Pas llogarisë bankare do të rezultojë emri i Florian Gjergji, i cili aktualisht është nën hetim dhe ndaj tij janë dhënë disa masa arresti për të njëjtën skemë mashtruese.
Por kjo nuk është hera e parë që zbulohet një skemë mashtrimi e Gjergjit, e vetja gjë që ndryshon është emri nën të cilin ‘fshihet’, ai i Ministrit të Brendshëm Taulant Balla.
Kush është Florian Gjergji
Prej fillimit të viti 2023 Florian Gjergji është një prej personave më të kërkuar sa i takon skemave të mashtrimit. Policia në disa raste ka zbardhur me prova, se si ai vendoste gjoba ndaj biznesmenëve duke u prezantuar herë si kryebashkiak i Vlorës dhe herë si Erion Veliaj i Tiranës. Gjergji përdor aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohet biznesmenëve, kryesisht të fushës së ndërtimit, si kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore.
Episodi i parë ishte ai i një biznesmeni në Kamzë të cilit i kërkoi 13 mijë euro, ngjarje për të cilën u vunë në pranga 3 persona por jo vetë Florian Gjergji nuk u gjet. Nga arratia emri i tij doli në skenë për po të njëjtën vepër penale. Në 13 shkurt ishte “koka” e mashtrimit të një tjetër biznesmeni, pronar i një kazinoje në Tiranë, të cilit sërish i kërkuan para kamufluar si ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame.
Rasti i tretë është ai ku 39-vjeçari tentoi të mashtronte biznesmenin Ram Geci, pasi i shkruajti në aplikacionin “Signal” duke i kërkuar 100 mijë euro sikur të ishte Erion Veliaj, por sërish nuk ra vetë në grackë. Por grupi nuk kishte të ndalur dhe sërish Gjergji dhe bashkëpunëtorët e tij po ashtu kanë folur në emër të Veliajt, ndërsa biznesmeni i radhës që tentuan të mashtronin ishte Aleksandër Gavoçi.
Mashtrimi më i madh do të ishte ai i vlerës prej 200 mijë euro. Së bashku me bashkëpunëtorët e tij, një prej të cilëve në pranga, Gjergji ka tentuar që ti zhvasë para pronarit të fabrikës së miellit ‘Prima’ Adi Haxhiymeri, duke e telefonuar dhe i vendosur gjobë në emër të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Haxhiymeri nuk ka rënë pre e mashtrimit dhe kallëzimi i tij vuri në lëvizje Policinë e Shtetit.