Jepet lamtumira e fundit për 18-vjeçarin që mbeti i mbytur dje në Durrës, teksa shpëtoi dy jetë të tjera. Anri Kashiku, nuk u mendua dy herë teksa pa se i vëllai dhe shoku i tij po rrezikonin të mbyteshin. Ai shkoi fillimisht me pedalonë për të shpëtuar të miturit, por në një moment edhe mjeti filloi të mbytej.
Kashiku vendosi të mos e marrë mjetin, duke shkuar të shpëtojë vëllain dhe shokun e tij me not. Ai arriti t’i shpëtonte dy adoleshentët, por në këtë përpjekje shpëtimi i riu humbi jetën.
Sot familja e Anri Kashikut ka hapur dyert e mortit për të përcjellë djalin e tyre, i cili tashmë quhet hero nga të gjithë banorët e lagjes në të cilën ai banonte.
“I urtë, i dashur, nuk bënte fjalë me asnjë. Nuk di çfarë të them. Djalë hero! Shpëtoi vëllain e tij dhe një komshi, por vdiq vetë i shkreti. Ne po përjetojmë një dramë shumë të madhe. Ishte maturant”, është shprehur një nga banoret e lagjes ku banonte Anri Kashiku
“Ai është njeri i Zotit! Ka bërë një heroizëm shumë të madh, ka shpëtuar vëllain e tij dhe një që ishte djalë i vetëm. Ai tjetri ishte djalë i vetëm”.
“Hero i vërtetë”, kështu e kanë quajtur disa nga figurat më të larta shtetërore, si ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e parlamentit Lindita Nikolla, të riun që humbi jetën tragjikisht. Ata kanë reaguar me postime në rrjetet e tyre sociale.
“Një hero i vërtetë! Miq, i riu 18-vjeçar, Anri Kashiku, si një hero i vërtetë, shpëtoi sot dy jetë, por vetë mbeti në ujërat e Adriatikut, për t’u bërë i pavdekshëm me veprën e tij. Duke ndarë dhimbjen dhe zinë me familjen Kashiku për këtë humbje të pakompensueshme, i lutemi Zotit që shpirti i bardhë i Anrit shpëtimtar të gjejë paqen e merituar. Amin! S.B.”, ka shkruar në profilin e tij në “Facebook” Sali Berisha.
“Anri Kashiku, djali që dha jetën për të shpëtuar dy jetë, vëllain e tij të vogël 15-vjeçar, Ersianin, dhe shokun e tij, meriton respektin, nderimin dhe mirënjohjen e të gjithë shoqërisë.Përkushtimi dhe heroizmi deri në vetëmohim e bëri Anrin nga një njeri të thjeshtë, në një qytetar simbol. Ngushëllime familjes për humbjen e AnritMirënjohje, që rriti një hero!”, shkruan Lindita Nikolla.
Edhe Armand Duka, ka shprehur keqardhje për vdekjen e të riut, që konsiderohej si futbollist i perspektivës, pasi 18-vjeçari luante për të rinjtë e një klubi privat futbolli në Durrës.