Thomas Strakosha rezultoi “heroi” i Lazios në kualifikimin e bardhekaltërve në Kupën e Italisë, pasi eliminuan Interin në lotarinë e goditjeve të 11-metërshave. Portieri i Kombëtares Shqiptare priti dy penallti e për rrjedhojë ishte më i kërkuari nga gazetarët në zonën miks.
Kualifikimi:”Jemi të gjithë shumë të kënaqur, e dëshironim shumë këtë fitore. Do të jetë shumë bukur në gjysmëfinale me stadiumin “Olimpico” të mbushur plot e përplot. Në fushë e merituan kualifikimin. Në penalltinë e fundit mendova: më në fund mbaroi”.
Zona Champions: “Mund të përmirësohemi më tej dhe ta përfundojmë kampionatin mes katër ekipeve më të mira. Ne Besojmë. Lazio është në gjendje shumë të mirë. Në fillim vuajtëm për shkak të shpërqendrimit, tani e kemi marrë veten dhe thjesht duhet të vazhdojmë kështu”.
Afrimi i Romulos: “Do ta shohim nesër (sot) në Romë, do të na ndihmojë shumë në mbrojtje. E rëndësishme është që të japë gjithçka për skuadrën dhe ne do të bëjmë të pamundurën që të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur”.