Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar pas akuzave që Sali Berisha i bëri në lidhje me rastin McGonigal.
Në një deklaratë për mediat, Sali Berisha e akuzoi Bashën se nuk ka bërë asnjë reagim për takimet e ish-zyrtarit të FBI-së me kryeministrin Edi Rama, pasi kështu është këshilluar nga ambasadorja amerikane Yuri Kim.
E ndërsa kujton se e drejta vonon por nuk harron, Basha thekson në reagimin e tij se me SHBA-në në krah, Shqipëria do të bëhet vendi i mundësive për shqiptarët.
“E drejta vonon, por nuk harron! Me SHBA-në në krah Shqipëria mund dhe do të bëhet vendi i mundësive për shqiptarët”, shkruan Basha në Twitter.
Kreu aktual i demokratëve i bëri më herët thirrje Bashës që të “bëjë transparencë dhe të tregojë se kush i bën presion për të mbyllur gojën.”
“Në këto momente kur zien e gjithë bota, kur zien mediat e gjithë botës dhe jo vetëm të SHBA, ajo që bën përshtypje më të madhe është se edhe viktimë-Basha ka mbyllur gojën si me zinxhir. A mund të imagjinoni ju ndonjëherë, një rast kur krimineli që e vrau atë, që përdori një nga njerëzit më të fuqishëm të planetit në fushën e zbulimit kundër tij, tani nuk flet prej 7 ditësh asnjë fjalë, sikur nuk ekziston.
Ftoj shqiptarët të pyesin: si ka mundësi? Si ka mundësi që ky njeri tani që u bë e qartë se Edi Rama ka përdorur McGonigal si vrasës me pagesë në aferën Muzin kundër tij, nuk thotë një fjalë të vetme. Gjithçka flet se përsëri, guvernatorja qëndron prapa heshtjes së tij. Heshtjes së turpshme, të turpshme, të turpshme.
Mirë Rama, që është autori i një vepre makabër, por viktima e tij, si nuk gjen forcë të shqipërojë një fjalë të vetme? I bëj thirrje çdo shqiptari të shtrojë pyetjen: çfarë ndodh, si ka mundësi? A ka një detyrim minimal ky njeri, qoftë edhe ndaj atyre që e kanë mbështetur gjer në fund, por edhe tani madje e mbështesin, të bëjë transparencë.
Të bëjë transparencë edhe kush i bën presion për të mbyllur gojën. Unë nuk jam i habitur, e kam quajtur peng atë, por në situatën e re të krijuar, ai ka një detyrim. Njeriu gjithmonë ka një detyrim jashtë vetes së tij.
Ky është kodi i heshtjes që zbatohet me fanatizëm si nga krimineli, edhe nga viktima”, deklaroi Berisha.