SPAK ka sekuestruar edhe një vilë në zonën e Hamallajt në kuadër të hetimeve për ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj.
Vila është në pronësi të bashkëjetueses së Arben Ahmetajt, Erjola Hoxha.
Kujtojmë se, më herët gjatë ditës së sotme, për llogari të hetimit të nisur nga SPAK nga ish- zv. kryeministrit Arben Ahmetaj është sekuestruar një vilë në zonën e Palasës.
SPAK ka dyshime se vila i përket ish-bashkëshortes së Ahmetajt, por sipas burimeve, vila rezulton e regjistruar në emër të një personi tjetër.
Sekuestrimi vjen në një kohë kur ish-zëvendëskryeministri është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për 4 akuza. Ato i përkasin dy procedimeve penale, që janë bashkuar në një të vetme. Çështja e parë është për koncesionin e inceneratorit të Elbasanit dhe mban numrin 277/1. Ai akuzohet për shpërdorim detyre.
Ndërsa e dyta me numër 30 për “pastrim të parave”, “korrupsionit” dhe “fshehja e pasurisë” në bazë të një kallëzimi tjetër të bërë ndaj tij.
Byroja Kombëtare e Hetimit me vendim gjykate ushtroi kontrolle më 9 Mars në shtëpitë e ish-gruas Albina Mancka dhe bashkëjetueses aktuale Erjola Hoxha. Agjentët e BKH-së kanë sekuestruar disa dokumente gjatë kontrollit.