Nga hetimet e deritanishme të SPAK ndaj rrjetit të trafikantëve që sollën nga Kolumbia në Shqipëri ngarkesën prej 430 kg kokainë të tretur në tonelatat me pleh, kanë dalë detaje të reja.
Burimet i thonë Top Channel se në muajin nëntor, persona të paidentifikuar tentuan të sulmojnë banesën që do të përshtatej si laborator me vetëm një qëllim, të grabisnin mallin.
Nga përgjimet, bëjnë me dije burimet e sigurta të Top Channel, rezulton se dikush kishte dëmtuar bravën e portës dhe se si reagim familja Çervanaku u përgjigj duke qëlluar në ajër me armë, si një mënyrë për t’i njoftuar të panjohurit se ishin të armatosur. Sakaq, ka dyshime se bota e krimit në qytetin e Fierit ishte informuar për ngarkesën dhe se anëtarët kishin nisur diskutimet për tregun e jashtëm, përpara se të niste procesi i nxjerrjes së kokainës.
Viktor Çervanaku, ish-kryetar komune, bëhet me dije nga përgjimet, po përgatitej për zgjedhjet lokale. Dhe ndërkohë, ai takoi eksponentë të njohur duke u thënë ka ardhur pleh i mirë nga Kolumbia.
Por, nga muaji shtator kur ngarkesa mbërriti nga Mali i Zi, thasët me pleh u mbajtën në oborr pasi eksperti kolumbian mbërriti në Shqipëri në muajin nëntor dhe vonesa e tij u bë shkak që puna të dështonte.
Por, si u llogarit ngarkesa prej 430 kilogramë kur nuk kishte nisur ende ndarja nga plehu? Agjencitë e huaja që po ndiqnin udhëtimin e ngarkesës llogaritën në thasë përqindjen e drogës dhe me anë të kësaj formule u dol në përfundimin që aty gjendeshin 430 kg kokainë. /TCH