Aktualitet Hetimet për vrasjen e biznesmenit, autori i dyshuar i humbi gjurmët në...

Hetimet për vrasjen e biznesmenit, autori i dyshuar i humbi gjurmët në zonën e Gjadrit

Kur kanë kaluar rreth 24 orë nga vrasja e biznesmenit Ardjan Nikulaj në Shëngjin, policia nuk ka akoma një autor të dyshuar për ngjarjen.

Përveç pistës së gjakmarrjes, ekzekutimi i ish kandidatit për deputet në zgjedhjet e vitit 2021 vijon të mbetet një mister.

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli në të gjithë territorin, gjithashtu ka shoqëruar dhjetëra persona në komisariatin e Lezhës, por pa mundur të marrë një orientim të qartë.

Sipas informacioneve, policia ka kryer disa kontrolle banesash dhe janë marrë pamjet e kamerave të sigurisë në zonë për të parë drejtimin në cilin ka lëvizur autori. Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, autori ka vepruar i vetëm në këtë vrasje.

Ai ka hyrë në lokalin e Nikulajt i vetëm me skafandër në kokë dhe veshje fosforeshente, ka qëlluar disa herë ndaj tij dhe është larguar në drejtim të Shkodrës i hipur mbi një motor. Burime në rrugë jo zyrtare konfirmojnë se ai mund t’i ketë humbur gjurmët në zonën e Gjadrit.

Por ende nuk është e qartë edhe për hetuesit nëse është larguar nga lagjia “Nënë Tereza” për të dalë në aksin rrugor Lezhë-Shkodër, apo ka dalë nga aksi rrugor Shëngjin-Lezhë.

50-vjeçari Nikulaj, ishte i ulur në një tavolinë i vetëm dhe duket se është gjetur i papërgatitur përballë 6 plumbave me pistoletë nga gati 3 metra largësi.

Një predhë në kokë dyshohet se i shkaktoi vdekjen e menjëhershme në vend. Në foto duket edhe një person i tretë si dëshmitar okular, i cili mund të ketë dëgjuar edhe komunikime nëse ka pasur mes biznesmenit dhe ekzekutorit, por deri më tani nuk ka detaje.

Krimi i rëndë u shënua rreth orës 13:30 në një lokal në shëtitoren e Shëngjinit në pronësi të 50-vjeçarit Nikulaj.

Pista kryesore e hetimeve është përqendruar tek gjakmarrja mes fiseve që lidhet me vrasje të ndodhura vite më parë.

Dyshohet për një hasmëri të vjetër me fisin Palaj, pasi në vitin 1999, Ardian Nikulajt i kanë vrarë vëllanë dhe disa vite më pas nga Palajt janë vrarë dy anëtarë të familjes.

Por, nuk përjashtohet mundësia që krimi mund të ketë ardhur për shkak të konflikteve që lidhen me biznesin.

Nikulaj ishte anëtar i Këshillit Bashkiak në Lezhë, si edhe kishte kandiduar sërish për zgjedhjet lokali të 14 majit. Ai ka qenë kandidat për deputet në 2021 me partinë e PSD-së.