Një hetues i kontraktuar nga kompania e shitjeve “online”, “Amazon”, pretendon se autoritetet e Arabisë Saudite kanë piratuar telefonin e shefit ekzekutiv të saj, Jeff Bezos, e kanë pasur qasje në të dhënat personale të tij.
Gavin de Becker thotë se, “disa ekspertë kanë dalë në përfundimin se sauditët kanë ndërhyrë në telefonin e njeriut më të pasur të botës dhe kanë marrë prej tij informacione private”.
De Becker, i cili ishte kontraktuar për të hetuar publikimin e fotografive intime të Bezos, e lidhi piratimin e telefonit të shefit të “Amazon”-ës dhe publikimin e fotove me mbulimin që “The Washington Post” i bëri vrasjes së gazetarit saudit, Jamal Khashoggi, i cili u vra në konsullatën saudite në Stamboll, vitin e kaluar.
Gazeta prestigjioze është në pronësinë e tij. Vrasja e Jamal Khashoggit shkaktoi reagime të fuqishme në mbarë botën, por ndonëse e pranoi se autorët ishin agjentë të saj, qeveria saudite e mohon me forcë që në këtë ngjarje të jetë përfshirë, siç mendohet, edhe Princi i Kurorës, Muhammad bin Salman.
Kjo, sipas De Becker, e tregon qartë përse princi e konsideron “The Washington Post”-in një armik të madh.