Aktualitet Hetimi për mjekët e Onkologjikut, Rama thirrje gjykatësve: Mos e hani turpin...

Hetimi për mjekët e Onkologjikut, Rama thirrje gjykatësve: Mos e hani turpin me ryshfet

Kryeministri Edi Rama u ka bërë thirrje gjykatësve që të mos bien pre e ryshfetit në lidhje me hetimin dhe gjykimin ndaj mjekëve të Onkologjikut, që u kapën nga Prokuroria e Tiranës në një skemë shpërdorimi detyre me pacientët e sëmurë me kancer.

Në një takim me stafin e QSUT së bashku me ministren e Shëndetësisë, Rama e dënoi ngjarjen e rëndë me mjekët e Onkologjikut.

“Drejtësia e bëri edhe njëherë punën e vetë dhe kjo është e mira e vetme e asaj të keqeje tronditëse që doli në pah në atë shëmtinë e tmerrshme, gjë për të cilën unë i përgëzoj prokurorët dhe iu bëj thirje gjykatësve që banalizimin e asaj veprimtarie kriminale, siç ka ndodhur në të kaluarën, kur gjykatës të caktuar e kanë ngrëne turpin me ryshfet dhe kanë nxjerrë të lirë edhe vrasës që s’duhet të ishin brenda sot e gjithë ditën. Ndërsa ne do të vazhdojmë punën tonë. Ndryshimet e propozuara nga grupi i punës në Ministrinë e Shëndetësisë i ngritur menjëherë pasi morën dijeni, janë hapa të duhur në drejtimin e duhur”.

Kryeministri Edi Rama bëri me dije se shumë shpejt do të vihet në zbatim autonomia spitalore, teksa ky proces do të asistohet nga një grup menaxherësh të huaj.

“Historia e shefave të departamenteve dhe e drejtuesve të spitaleve që i shërbejnë edhe sistemit publik dhe kanë në pronë apo janë në punë edhe në sistemin privat është një histori që e dimë shumë mirë nga vjen. Vjen nga vetë historia e kalimit nga një sistem shëndetësor i centralizuar në një sistem shëndetësor kur hyri në mes kapitalizmi. Dhe nga mungesa e çdo kapaciteti dhe baze për të ndërtuar një sistem autonomie spitalore që i garanton profesionistëve që të mund të shpërblehen përtej tavaneve të njëjta të pagave në bazë të performancës së tyre. Do angazhojmë edhe një grup menaxherësh të huaj për të asistuar nga afër drejtuesen e re të QSUT që të garantojmë sa më mirë edhe hapjen së shpejti të kapitullit të shumëpritur të autonomisë spitalore që kjo qendër do duhet ta ketë dhe që kësaj qendre do duhet t’i japë të gjithë fleksibilitetin për të shpërblyer profesionistët e vetë sipas meritës”, bëri të ditur Kryeministri Edi Rama.

Katër ditë më parë, mjekët e Spitalit Onkologjik, Edmond Gashi dhe Alketa Ymeri, hodhën poshtë akuzat ndaj tyre fillimisht përpara mediave, përpara se të kundërshtonin në Gjykatën e Tiranës masat e sigurisë dhe rezultatet e hetimeve. Së bashku me 4 mjekët e tjerë, gjykata la në fuqi të njëjta masa sigurie. Gashi dhe Ymeri u lanë në arrest shtëpie, ndërsa pjesa tjetër në detyrim paraqitje.