Ekonomi Hetohen fondet për bujqësinë, KE pezullon rimbursimet për Shqipërinë për shkak të...

Hetohen fondet për bujqësinë, KE pezullon rimbursimet për Shqipërinë për shkak të korrupsionit  

Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht fondet për Shqipërinë në kuadër të programit IPARD 2, që përdoret për mbështetjen financiare të projekteve në bujqësi.

Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiran ka sqaruar se kjo masë është marrë në kuadër të një hetimi të nisur nga Brukseli, pas akuzave për korrupsion me fondet për bujqësinë.

“Komisioni Evropian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit IPARD II. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit IPARD II”, ka deklaruar për disa media zyra e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri.

Delegacioni pohon se hetimi është në vazhdim dhe në përfundim të tij do të shikohet nëse nevojiten masa të mëtejshme.

“Komisioni Evropian nuk mund të komentojë mbi asnjë gjetje të mundshme të OLAF-it për zbatimin e programit IPARD II (2014-2020) në Shqipëri. Hetimi i OLAF-it vazhdon. Kur OLAF të dorëzojë raportin përfundimtar, Komisioni Evropian do të informojë autoritetet shqiptare dhe, bazuar në gjetjet e raportit, do të marrë çdo masë të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur interesat financiare të Bashkimit Evropian”, sqaron Delegacioni i Bashkimit Europian.