Ditën e premte u përcaktua kalendari për kampionatin e ardhshëm gjerman të futbollit dhe Bayerni i Mynihut do të fillojë mbrojtjen e titullit në “Allianz Arena” ndaj Schalke-s. Deutsche Fussball Liga publikoi kalendarin e plotë si në Bundesligën e parë ashtu edhe në kampionatin gjerman të kategorisë së dytë. Të dyja ligat do të startojnë rreth mesit të muajit shtator dhe edicioni i 58 i Bundesligës do të nisë rrugëtimin më datë 18 shtator për të ulur perdet më 22 maj.
Një fillim i tillë kaq i shtyrë në kohë vjen në mënyrë të kuptueshme për shkak të pandemisë së koronavirusit, gjithsesi futbolli përfaqëson një ndër sportet më të dashur për popullin gjerman dhe mesi i muajit shtator mund të konsiderohet edhe si periudha më e përshtatshme, duke patur parasysh impenjimet e Bayernit të Mynihut dhe Laipcigut në Champions si dhe Leverkusenit në Europa League, por gjithashtu edhe faktin që edicioni i ardhshëm do të startojë dy muaj e gjysmë pas përfundimit të sezonit të shkuar.
Sipas shortit të publikuar rekordmenët e futbollit gjerman, që kanë fituar rresht tetë edicionet e fundit të kampionatit, do ta çelin sezonin e ri të Bundesligës pikërisht në Bavari, përballë Schalke-s. Java e parë do të zhvillohet nga data 18 – 21 shtator dhe në javën hapëse të sezonit spikat gjithashtu edhe derbi i dy Borussiave, pra Dortmund – Gladbach, që do të mbahet në Westfali. Sërish kampionati gjerman do të fillojë të premten në mbrëmje dhe si rregull “të kuqtë” përsëri do të kenë privilegjin për të luajtur në shtëpi, thjesht diferencën e vetme e përbën fakti që gjithçka do të nisë një muaj më vonë krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse për hir të së vërtetës këtë herë ndarja e saktë e ndeshjeve do të bëhet vetëm më datë 17 gusht, kështu që shumë do të varet pikërisht nga ecuria e klubeve gjermane në Kupat e Evropës.
Sezonin e mëparshëm Bayerni u frenua në shtëpi nga Hertha e Berlinit në një barazim 2-2, gjithsesi “die roten” kanë bilancin më të mirë në Bundesligë, me 2.1 pikë për ndeshje në takimin hapës të kampionatit, duke fituar 35 herë dhe shënuar plot 125 gola gjithsej. Bayerni ka kryesuar kampionatin gjerman pas javës hapëse plot 11 herë, ndërsa Stuttgarti që ia doli të rikthehet sërish në elitën e futbollit teuton, renditet i dyti në këtë lloj klasifikimi të veçantë.
Është vendosur që nëse klubi i famshëm bavarez do të kualifikohet për në finalen e madhe të 23 gushtit në Champions atëherë ekipi i drejtuar nga trajneri Hansi Flick nuk do të luajë të premten në mbrëmje, por do të zbresë në fushë kundër Shalkes vetëm të hënën në mbrëmje, për arsye të rregullores së federatës së këtij vendi DFL, që përcakton minimalisht katër javë kohë përgatitje nga njëri aktivitet te tjetri. Pra, nëse Bayerni do të fitojë të drejtën për të luajtur në Stadiumin “da Luz” të Lisbonës në takimin përmbyllës të këtij edicioni në Champions, favorin për të çelur sezonin e ri të premten në mbrëmje do ta kenë dy Borussiat, në “Westfalenstadion”.
Përsa i përket pjesës tjetër të kalendarit në Bundesligë java e parë ofron takimet Leipzig-Mainz, Wolfsburg–Leverkusen, Eintracht Frankfurt–Arminia Bielefeld, Union Berlin–Augsburg, Koln–Hoffenheim, Werder Bremen-Hertha Berlin dhe Stuttgart–Freiburg. Sipas kalendarit klasikja Dortmund–Bayern do të zhvillohet javën e shtatë dhe si kohë ky duel do të mbahet në një nga datat, 6, 7 ose 8 nëntor në Westfalenstadion. U përcaktua gjithashtu edhe që Superkupa e Gjermanisë që do të luhet ndërmjet Bayernit dhe Dortmundit, për arsye se sezonin e fundit klubi bavarez fitoi si kampionatin ashtu edhe kupën do të zhvillohet më datë 30 shtator në Stadiumin “Allianz Arena”.