Qytetarëve u është kërkuar të mos përdorin smartfonët e tyre kinezë dhe të mos blejnë të rinj. Thirrja është bërë nga Ministria e Mbrojtjes së Lituanisë.
Smartfonët e prodhuar nga Kina me teknologji 5G u testuan nga Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike në Lituani. Në raport pretendohet se një telefon Xiaomi ka të instaluara mjete censure, ndërsa një model Huawei kishte probleme sigurie. “Rekomandimi ynë është që të mos blini telefona të rinj kinezë dhe të largoni sa më parë ata që keni blerë”, tha zëdhënësi i ministrisë së Mbrojtjes Margiris Abukevicius.
Ndërkohë, kompanitë kanë reaguar pas këtyre pretendimeve. Huawei tha se asnjë nga të dhënat e përdoruesve nuk nxirret nga sistemi, po ashtu edhe Xiaomi hodhi poshtë pretendimet për censurë të komunikimit. Xiaomi ka thënë se “vepron në përputhje me Rregulloren e Bashkimit Europian për Mbrojtje të të Dhënave”.
Sipas raportit, shprehjet që potencialisht mund të censurohen nga Xiaomi përfshijnë “Tibeti i Lirë”, “Jetoftë gjatë pavarësia e Tibetit” dhe “lëvizja për demokraci”.
Marrëdhëniet midis Lituanisë dhe Kinës janë tensionuar kohët e fundit. Kina kërkoi muajin e kaluar që Lituania të tërhiqte ambasadorin e saj në Pekin dhe tha se do të tërhiqte të dërguarin e saj në Vilnius pasi Tajvani njoftoi se misioni i tij në Lituani do të emërtohej Zyra Përfaqësuese e Tajvanit.
Misionet tajvaneze në Europë dhe Shtetet e Bashkuara përdorin emrin e qytetit Taipei, duke shmangur një referencë për vetë ishullin, të cilin Kina e pretendon si territor të vetin.