Zërave për largimin e PDIU-së nga koalicioni opozitar, larg Berishës, e ka vulosur këtë të shtunë vetë kreu i kësaj partie Shpëtim Idrizi. Në një reagim në rrjetet sociale, Idrizi ka konfirmuar largimin nga Partia Demokratike dhe siç duket një nga arsyet është lënia zonë e lirë të Himarës për partitë e minoritetit të Vangjel Dules, PBDNJ-së.
“PDIU nuk i ka bërë kurrë thirrje mbështetësve të një partie tjetër politike se si duhet të votojnë, por sot është koha t’i bëjmë thirrje shqiptarëve të mos votojnë Fredi Bejlerin, njeriun e akuzuar për masakrën e Peshkëpisë dhe i dënuar me vendimin e Gjykatës Vlorë, me nr 224/24.9 2004 dhe me numër 302/ 26.12.2006, me 3 vite burg për dhunim të simboleve shtetërore shqiptare. Shqiptarët nuk mund e nuk duhet të votojnë njeriun që bën edhe sot fushatë me flamurin e Vorio Epirit i cili advokon autonominë e Vorio- Epirit, që tenton të prekë tërësinë territoriale të Shqipërisë, atdheut tonë”, deklaron Idrizi.
Idrizi ka mohuar, të paktën publikisht, se ka patur ndonjë kontakt as me PD-në dhe as me partinë në pushtet, PS-në.
“Bazuar në ndryshimet e fundit Kushtetuese për heqjen e koalicioneve, PDIU ka marrë vendimin që të dalë e vetme në zgjedhje. Theksojmë që PDIU nuk është kontaktuar asnjë herë, nga asnjë nga dy palët e PD-së, për të kërkuar bashkëpunimin e saj. PDIU e ka bërë të qartë që nuk përfshihet dhe nuk mban anë në debatin e brendshëm në PD, por në mënyrë të përsëritur ka bërë thirrje, që ata që flasin në emër të demokratëve e kanë detyrë që të bashkohen e të sjellin një forcë solide në zgjedhjet që priten të mbahen”, reagon Idrizi.
Mbetet për t’u parë nëse PDIU do t’i qëndrojë konkurrimit të vetëm në zgjedhje, apo do të kërkojë ndonjë zonë të lirë në bashkëpunim me PS-në. Ndërkohë sa i përket kampit opozitar, të asaj të grupuar rreth PD-së, ky është largimi i dytë i një partie. Kjo pas LZHK-së së Dashamir Shehit që është bashkuar me Bindjen Demokratike me qëllimin për të krijuar një pol të ri të së djathtës.