Politika “Hipoteka e Vlorës është turp”, Rama: PS në një fazë të re,...

“Hipoteka e Vlorës është turp”, Rama: PS në një fazë të re, nevojë për t’u hapur për prurje të reja pa asnjë paragjykim

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me takimet falenderuese. Ai ishte këtë të shtunë në Vlorë ku ripërsëriti se rezultati i zgjedhjeve të 14 Majit ishte historik për Partinë Socialiste. Po ndërsa komentonte rezultatin e zgjedhjeve për këshillat bashkiakë tha se PS ka marrë votën e vet, të konsoliduar dhe bashkuar. Por kjo sipas Ramës duhet të shërbejë për të kuptuar që Partia Socialiste ka hyrë në një fazë të re si një nevojë për të pasur prurje të reja.

“Ne kemi arritur që si Parti Socialiste të dalim forcë e parë në këshilla bashkiakë ku nuk kemi qenë ndonjëherë forcë e parë si në Shkodër, apo në Tropojë, apo në Dibër dhe të rikthehemi si forcë e parë në të tjerë këshillash. Në këto zgjedhje ka ndodhur diçka e re. Më parë vota për dy partitë e mëdha se ka qenë edhe një parti tjetër e madhe, por ajo nuk është më, ndahej në shumë parti të vogla dhe kur vinte puna për këshillat PS kishte një përqindje shumë më të ulët se sa në zgjedhjet politike. Këtë herë, PS ka marrë votën e vet, të drejtpërdrejtë, të konsoliduar dhe të bashkuar. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar se PS ka hyrë në një fazë të re. Ka hyrë në një fazë të re dhe duhet ta kuptojmë këtë fazë të re si një nevojë për t’u hapur si asnjëherë më parë për prurje të reja të të gjitha moshave dhe për prurje të reja pa asnjë paragjykim”, u shpreh Rama.

Sipas tij, është koha që Partia Socialiste “të kalojë në një fazë ku nga një parti politike dhe të jetë një komunitet i madh ku ka vend për të gjithë”.

Por pavarësisht fitores së thellë, Rama thotë se duhen parë edhe gabimet. Shembull mori Hipotekën e Vlorës ku u shpreh se ajo është turpi i Partisë Socialiste të Shqipërisë.

“Në çdo bashki duhet të mësojnë të gjithë ata që përfaqësojnë PS-në që nga kryetarët e organizatave deri tek drejtuesit politikë dhe deri tek anëtarët e kryesisë së PS. Jo vetëm të tjerët, por edhe socialistët e thjeshtë, njerëzit e zakonshëm që na kanë dhënë gjithë këtë besim dhe mbështetje nuk e kanë dhënë votën në 14 Maj nga kënaqësia e madhe për mrekullitë që kemi bërë ne, por e kanë dhënë nga besimi i madh që kanë dhe nga pritshmëria e lartë që kanë për ne.

Kjo do të thotë që në çdo bashki ka mësime të mëdha për t’u nxjerrë. Se ne nuk kemi marrë votën e vlonjatëve për Hipotekën e Vlorës. Nuk kanë ardhur më 14 Maj vlonjatët t’i japin 71% Ermalit se janë të lumtur me çfarë bën Hipoteka e Vlorës.

Hipoteka e Vlorës është turpi i PS së Vlorës, është turpi i PS së Shqipërisë. Mora një shembull. Mund të marr dhe shembujt të tjerë në gjithë Shqipërinë. Mund të marr dhe shembuj nga qeveria qendrore po të doni për njerëz që na kanë turpëruar, por këto shembuj na vlejnë jo për të kthyer kokën prapa dhe për të mos thënë që nuk kemi punë, por për të bërë çmos që ato gjëra që janë bërë keq të mos vazhdojnë të bëhen keq dhe ato gjëra që janë bërë nga njerëzit e këqinj të mos bëhen prapë dhe njerëzit e këqinj të mos kenë vend në asnjë vend ku PS-ja duhet të përfaqësohet pavarësisht me kë janë lidhur, pavarësisht kë kanë krushk, pavarësisht kë kanë gjak dhe komshi.

Është shumë e rëndësishme që në partinë e Vlorës të bëhet një reflektim i madh në lidhje me këtë dhe partia e Vlorës të jetë fytyra, dinjiteti, angazhimi dhe dashuria e Vlorës për të gjithë ata që votuan Ermalin dhe PS-në. Jo instrumenti i përfitimeve të një grushti njerëzish. Jo rruga që disa të bëjnë parakalime me kokën lart duke i parë njerëzit nga lart poshtë”, tha Rama.