Elona Kalesha kishte një motiv për të vrarë prindërit e të ish të fejuarit të saj, Teuta dhe Shpëtim Pasho, mbetjet e të cilëve u gjetën të fshehura në një valixhe në një fushë midis burgut Fipili dhe Sollicciano në dhjetor 2020.
Shtypi italian shkruan se ajo kishte frikë se çifti mund t’i zbulonte djalit të tyre Taulantit, se gruaja po priste një fëmijë nga një burrë tjetër. Dhe se Taulanti mund ta vriste. Elona e ndërpreu shtatzëninë, duke abortuar në një spital më 27 tetor 2015, pesë ditë para se çifti të zhdukej.
Me këto të dhëna, ka marrë një kthesë çështja e misterit të valixheve të gjetura në një fushë bujqësore në provincën e Firences në Itali.
Prokuroria paraqiti dokumente të reja në dosjen hetimore dhe do të duhet të vendosë më 20 shtator nëse do ta lirojë Elona Kaleshan nga qelia, e cila vijon të jetë e mbyllur në Sollicciano që nga dhjetori 2020, me akuzën e dyfishtë për vrasje me paramendim dhe fshehje të kufomës. Ndërkohë, Taulanti, djali i çiftit shqiptar, sipas prokurores Ornella Galeotti, nuk e dinte për shtatzëninë e të dashurës së tij.
Në vjeshtën e vitit 2015, ai vuante një dënim me akuzën për shpërndarje droge dhe nuk mund të kishte marrëdhënie me Elonën. Por ka edhe më shumë: Prokuroria thotë se Elona e dinte mirë vendin ku u gjetën valixhet.