Është nënshkruar në Baku marrëveshja për heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë drejt Azerbajxhanit. Marrëveshja u firmos nga zëvendësministri i jashtëm shqiptar Besart Kadia dhe homologu i tij azerbaxhan Fariz Rzayev.
Kjo marrëveshje hap mundësi të reja për turizëm, zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim mes dy vendeve.
Ambasadori i Azerbajxhanit në Shqipëri, Anar Huseynov përmes një postimi në rrjete sociale, shkruan se nënshkrimi i marrëveshjes për përjashtimin e vizave, është një tjetër kontribut i fuqishëm në marrëdhëniet dypalëshe.
“Fariz Rzayev, Zëvendës Ministër i Jashtëm i Azerbajxhanit, dhe Zëvendësministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Besart Kadia, folën për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe mes vendeve tona, me fokus ndërveprimin ekonomik dhe kontaktet mes njerëzve. Takimi pasoi me nënshkrimin e marrëveshjes për përjashtimin e vizave, një tjetër kontribut i fuqishëm në marrëdhëniet dypalëshe”, shkruan ambasadori Anar Huseynov.
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Baku të Azerbajxhanit si i ftuar nderi i Presidentit Ilham Alijev, për të adresuar Samitin e 10-të të Korridorit Jugor të Gazit.