Bota Histori si në filma: U rrëmbye kur ishte 6 vjeç, gjendet i...

Histori si në filma: U rrëmbye kur ishte 6 vjeç, gjendet i gjallë pas 73 vitesh falë këmbënguljes së mbesës

Një burrë, i cili u rrëmbye në moshën 6-vjeçare teksa luante në një park në Kaliforni, në vitin 1951, është gjetur pas më shumë se 7 dekadash, falë ndihmës së një testi të pjeardhjes në internet, më pas bazuar në fotot e vjetra dhe copëzave të gazetave,

“Bay Area News Group” raportoi se mbesa e Luis Armando Albino në Oakland – me ndihmën e policisë, FBI-së dhe departamentit të drejtësisë – gjeti dajën e saj që jetonte në SHBA. Albino, i cili tanimë është bërë baba dhe gjysh, është një ish-zjarrfikës dhe veteran i Trupave Detare që shërbeu në Vietnam, sipas mbesës së tij, 63-vjeçares Alida Alequin. Ajo gjeti Albino-n dhe e ribashkoi me familjen e tij në Kaliforni në qershor të këtij viti.

Më 21 shkurt 1951, një grua e rrëmbeu Luis-in gjashtëvjeçar nga parku në West Oakland, ku ai ishte duke luajtur me vëllain e tij më të madh. Ajo i premtoi vogëlushit se do t’i blinte karamele. Por, ajo e rrëmbeu dhe e çoi me kilometra larg. Luis-i përfundoi në një familje, e cila e rriti si djalin e saj.

Për më shumë se 70 vjet, Luis-i mbeti i zhdukur, por ai ishte gjithmonë në zemrat e familjes së tij. Fotoja e vogëlushit ishte gjithnjë e varur në shtëpitë e të afërmve të tij. Nëna e tij ndërroi jetë në vitin 2005, por gjithnjë kishte shpresën se i biri ishte gjallë. Policia e Oakland pranoi se përpjekjet e Alequin “luajtën një rol të rëndësishëm në gjetjen e dajës të saj”.

Alequin përshkroi takimin me dajën e saj: “Më përqafoi dhe më tha: “Faleminderit që më gjete” dhe më puthi në faqe”, tha ajo.

Artikujt e “Oakland Tribune” të asaj kohe raportuan se policia, ushtarët lokalë, rojet bregdetare dhe punonjës të tjerë të qytetit u bashkuan në një kërkim shumë të gjerë për gjetjen e 6-vjeçarit. Roger Albino, i vëllai i djalit të zhdukur, u mor në pyetje disa herë, por ai sërish rrëfeu se një grua me shami rrëmbeu vëllain e saj.

Ideja e parë që daja i saj mund të ishte ende gjallë erdhi në vitin 2020 kur “vetëm për qejf bëra një test ADN-je në internet”, tha Alequin. Testi tregoi se ajo ngjante 22% me një burrë, i cili doli që ishte daja i saj. Një kërkim i mëtejshëm asokohe nuk dha një përgjigje, por në fillim të këtij viti, ajo dhe kushërirat filluan kërkimet sërish. Gjatë një vizite në bibliotekën publike të Oakland, ajo pa artikujt e “Oakland Tribune” – duke përfshirë një që kishte një foto të Luis dhe Roger (vëllezërit Albino) – që e bindi atë se ajo ishte në rrugën e duhur. Ajo shkoi në policinë e Oakland në të njëjtën ditë. Hetuesit rihapën rastin e ri për personin e zhdukur.

Policia Oakland tha javën e kaluar se çështja e personave të zhdukur ishte mbyllur, por ata dhe FBI e konsideruan hetimin për rrëmbimin ende të hapur. Luis ndodhej në lindje të SHBA dhe siguroi një mostër të ADN-së, ashtu si motra e tij, nëna e Alequin.

“Më 20 qershor, hetuesit shkuan në shtëpinë e nënës së saj”, tha Alequin, duke shtuar se u thanë të dyve se Luis ishte gjetur.

“Ne nuk filluam të qanim deri pasi hetuesit u larguan,” tha Alequin. “Kapa duart e mamasë sime dhe i thashë: “E gjetëm!” Isha kaq e lumtur!”, u shpreh ajo.

Më 24 qershor, me ndihmën e FBI-së, Luis erdhi në Oakland me anëtarët e familjes së tij dhe u takua me Alequin, nënën e saj dhe të afërm të tjerë. Të nesërmen, Alequin e çoi nënën e saj dhe dajën e sapogjetur në shtëpinë e Roger-it në Stanislaus, Kaliforni.

“Ata u përqafuan fort për shumë gjatë. U ulën dhe thjesht folën”, u shpreh mbesa e tij, duke shtuar se diskutuan për ditën e rrëmbimit.

Luis u kthye sërish në vendin e tij, por shkoi sërish pranë të vëllait në Kaliforni. Disa kohë më vonë, Roger ndërroi jetë.